Krasniqi: Rinia është fuqia dhe garanca e ndryshimeve pozitive

Kosova

Krasniqi: Rinia është fuqia dhe garanca e ndryshimeve pozitive

Më: 25 dhjetor 2022 Në ora: 17:05
Memli Krasniqi

“Rinia është fuqia dhe garanca e ndryshimeve pozitive në shoqërinë tonë”.

Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë një tubimi të organizuar nga kjo parti në komunën e Gjilanit.

“Kënaqësi të qëndroj në mesin e të rinjve të mirë të Gjilanit, të cilët janë bërë pjesë e platformës zgjedhore të Rinisë Demokratike të Kosovës.  Në tubimin madhështor që kanë organizuar sot, të rejat dhe të rinjtë e Rinisë Demokratike të Kosovës në Gjilan zgjodhën për kryetar Qëndrim Qerimin, student i dalluar i stomatologjisë. Bashkë me kolegët që morën sot besimin për ta udhëhequr Rininë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Qëndrimi do të përkushtohet për ta vënë potencialin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe qytetit të tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Se rinia është një ndër asetet kryesore të Kosovës e kanë thënë edhe krerët e institucioneve të vendit.

Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) ka organizuar të martën e 15 nëntorit tryezë diskutimi rreth Perspektivës Demografike të Kosovës në Botën e Mundësive të Pafundme, me rastin e shënimit të Ditës së 8 miliardë banorëve në botë.

Kryetari  i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka qenë pjesëmarrës në këtë tryezë që ka thënë  se tema për të cilën po diskutohet është tejet e rëndësishme, pasi që, siç tha ai, një prej aseteve kryesore që ka Kosova është popullata e saj.

Konjufca ka shtuar se vendi do të angazhohet që nëpërmjet mekanizmave që ka në dispozicion, të kontribuojë në nxitjen e bashkëpunimit ndërsektorial, për të kuptuar dhe adresuar nevojat e grupeve të ndryshme demografike të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës në përgjithësi duhet të miratojnë ligje dhe politika të cilat sigurojnë barazi dhe gjithëpërfshirje, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe kujdesen për personat dhe familjet në nevojë”, ka thënë Konjufca.

Kreu i Kuvendit ka shtuar se rinia e Kosovës është një ndër asetet kryesore të saj, por që duhet punuar që ajo të ruhet.

“Kosova çdo vit është më pak e re dhe këtë duhet ta kemi në vëmendje. Shtetet bëjnë përpjekje që ta ruajnë popullsinë e tyre, prandaj edhe Kosova duhet të bëjë këtë”, ka shtuar kryetari Glauk Konjufca, duke theksuar se për këtë qëllim nevojitet hartimi i një plani nacional e gjithëpërfshirës.

I pari i legjislativit kujtoi se në vitin 1981 Kosova kishte 2 milionë banorë, ndërsa në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011 kishte 1.6 apo 1.7 milionë banorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat