Abetarja e unifikuar sjell rezultate, kërkohet unifikim i teksteve tjera

Kosova

Abetarja e unifikuar sjell rezultate, kërkohet unifikim i teksteve tjera

Më: 26 dhjetor 2022 Në ora: 19:11
Foto ilustrim

Abetarja e unifikuar, e cila ka hyrë në përdorim këtë vit shkollor, po vlerësohet si shumë e përshtatshme për kurrikulen me të cilën punohet. Drejtues të institucioneve dhe njohës të arsimit po vlerësojnë se kjo  duhet të jetë shembull edhe për tekstet e tjera shkollore.

Rezultate pozitive pas dy muajve që ka hyrë në përdorim po sjell abetarja e unifikuar . Kështu vlerësojnë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.

Mësuesja Albina Shala, e cila është mësimdhënëse e  klasës se parë, i tha Radio Kosovës se përmbajtja e abetares është shumë e përshtatshëm në punën e tyre të përditshme.

“Për mua si mësimdhënëse, Abetarja e unifikuar është shumë e kapshme për fëmijët dhe shumë e përshtatshme me kurrikulen me të cilën punojmë. Bëhet  ndërlidhja e Abetares me Abetaren Fletore Punë dhe është shumë e përshtatshme për mësuesen dhe për fëmijët e kësaj moshe”, theksoi Albina Shala.

Se Abetarja e unifikuar sipas të dhënave nga terreni, po jep rezultate pozitive, e thotë në një prononcim  për Radio Kosovën edhe ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci. Ajo tha se edhe forma e saj digjitale, po e lehtëson në masë të madhe punën e mësimdhënësve dhe  prindërve.

“Deri më tani kemi pasur kryesisht reflektime pozitive. Abetarja është edhe në formë digjitale që lejon mundësinë për mësimdhënësit dhe prindërit t’i shfrytëzojnë edhe kopjet digjitale qoftë për të lehtësuar procesin mësimor për ore të caktuara, por qoftë edhe për ushtrime”, tha ministrja.

Njohës të arsimi vlerësojnë se kjo praktikë duhet të vazhdojë edhe për tekstet e tjera. Rinor Qehaja, nga Instituti “ Edguard”, në një përgjigje për Radio Kosovën tha që kjo duhet të jetë shembull edhe për tekstet e tjera shkollore, pasi kemi një gjuhë standarde të përbashkët dhe një kurrikulë përafërsisht të ngjashme.

“Abetarja e përbashkët është pikënisja që duhet të bartet tutje edhe në tekste të tjera shkollore - kemi një gjuhë standarde të përbashkët dhe një kurrikulë përafërsisht të ngjashme. Dallimet minore ndërmjet dy shteteve lehtësisht mund të zgjidhen përmes grupeve të përbashkëta punuese në përcaktim të standardeve për vlerësim, të tjerat janë subjekt i konkurrencës së lirë ndërmjet autorëve dhe shtëpive botuese, e që, një treg më i gjerë nënkupton rritje të konkurrencës dhe për rrjedhojë edhe rritje të cilësisë së teksteve shkollore”, theksoi Qehaja.

Me 26 nëntor të vitit 2021, Shqipëria dhe Kosova kanë marrë vendim për bashkëpunim në fushën e arsimit, ku është nënshkruar marrëveshja për një abetare të re ndërmjet dy vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat