S’ka imunoterapi në Onkologji, pacienti: Duhet me ndërpre ose me hy borxh për me ble

Kosova

S’ka imunoterapi në Onkologji, pacienti: Duhet me ndërpre ose me hy borxh për me ble

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 11:23
Klinika e Onkologjisë

Në Klinikën e Onkologjisë po vazhdon mungesa e terapive për pacientët e sëmurë me kancer. Një prej tyre i ka thënë Gazetës Shneta se do të detyrohet me ndërpre terapinë ose me marr para borxh për ta blerë pasi kostoja e saj është e papërballueshme për të.

E.H. nga Prishtina është pacient në Klinikën e Onkologjisë në QKUK. Për shkak të sëmundjes së kancerit ai është duke u trajtuar me imunoterapi ‘Pembrolizumab’ (Keytruda). Mjekët i kanë caktuar atij tetë terapi të nevojshme për trajtimin e sëmundjes por rrezikon të mos i marr të gjitha.

“Dy të parat i kam marr në klinikë, kurse dy të tjera është dashur t’i siguroj nga Turqia të cilat kanë kushtuar 5600 Euro. Ka qenë shumë problem me i ble sepse është dashur raporti i onkologut dhe duhet të ruhen në temperaturë 8 gradë celsius sepse ndryshe i humb efekti. Mi ka siguru vëllai i cili jeton në gurbet. Po të mos ishte ai unë nuk do kisha mundësi t’i siguroja vet. Tash s’e di si do t’i sigurojë edhe 4 të tjera”, ka thënë pacienti.

Kjo terapi sikurse edhe të tjerat në kuadër të imunoterapisë, po vazhdojnë të mungojnë në Klinikën e Onkologjisë. Kjo është konfirmuar edhe nga drejtori i Klinikës Dr. Arben Bislimi. Ai tregon se janë 30 pacientë që trajtohen me imunoterapi.

“Sikurse veç jeni të njoftuar, aktualisht Klinika e Onkologjisë po përballet me mungesë të barnave imunoterapeutike, përfshirë edhe medikamentin Pembrolizumab (Keytruda) amp. 100 mg”, ka thënë ai.

“Duke pasur parasysh situatën e krijuar në periudhën e dytë të vitit lidhur me shpenzueshmëritë më të mëdha të barnave citostatike dhe atyre kimioterapeutike në krahasim me planifikimin, për arsye të rritjes së numrit të rasteve pothuajse në të gjitha patologjitë e tumoreve solide, ne kemi parashtruar kërkesë për furnizim shtesë me disa nga medikametet prioritare, para rreth një muaji”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka thënë se kanë kërkuar që të mbulohen nevojat deri në javën e parë të janarit e më pas të fillohet me furnizimin e rregullt të vitit 2023.

“Kërkesën tonë për furnizim shtesë me disa nga barnat kimioterapeutike dhe imunoterapeutike me arsyeshmëri ne kemi adresuar në Barnatoren Qendrore. Në kërkesë kemi listuar medikamentet dhe sasitë e përafërta të nevojshme për furnizim shtesë për 1-1.5 muaj, respektivisht mbulimin e nevojave për pacientët tanë me këto medikamente, deri në javën e parë, eventualisht të dytë të muajit Janar 2023, kur zyrtarisht dhe fillon furnizimi i rregullt tremujor për 2023”, ka thënë Bislimi.

Megjithë kërkesat furnizimi nuk është bërë ende dhe Bislimi thotë se nuk mund ta dijë se kur do të bëhet një gjë e tillë.

Meqë institucionet nuk i kanë bë zgjidhje për furnizim me këtë ilaç i cili është në Listën Esenciale, E.H. po mendon ta ndërpresë ose të marr para borxh për ta blerë për shkak të kostos së papërballueshme për të.

“Nuk e di si do t’i siguroj edhe 4 terapi. Prandaj ju lutem të bëni presion tek Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për sigurimin e këtyre barnave esenciale. Unë vet i kam parë pacientët që për 100 Euro terapi nuk kanë mundur me ble dhe kanë shkuar në shtëpi derisa spitali ta sigurojë atë bari”.

“Mua më duhet të pres t’i sjellin në Onkologji për tre javë kur e kam terapinë e radhës me shpres se do të vijë deri atëherë ose duhet me ndërpre, ose të futem në borxhe të cilat nuk mundem t’i paguaj ose të kërkoj prej njerëzve bamirës”, ka thënë E.H.

Klinika e Onkologjisë gjatë këtij viti është përballur disa herë me mungesë të barnave për pacientët e sëmurë me kancer, për të cilat Gazeta ka raportuar në vazhdimësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat