​Peci: Fermerët kosovarë më të mbështeturit në rajon, morën mbi 60 milionë euro subvencione

Kosova

​Peci: Fermerët kosovarë më të mbështeturit në rajon, morën mbi 60 milionë euro subvencione

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 16:11
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në konferencën e fundit për media për këtë vit, ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e kësaj ministrie gjatë vitit 2022.

Ministri Peci ka thënë se kjo qeveri me punën e saj ka bërë që fermerët kosovarë të jenë më të përkrahurit në rajon.

Madje, ai tha se për herë të parë sivjet brenda vitit kalendarik fiskal janë ekzekutuar të gjitha pagesat për subvencione. Teksa tha se bujqit këtë vit morën mbi 60 milionë euro subvencione dhe mbi 25 milionë euro grante.

Peci: Fermerët tanë më të përkrahurit në rajon

“Puna e Qeverisë dhe Ministria e Bujqësisë për vitin 2022 ka bërë që ta shndërron fermerin e Kosovës si fermerin më të përkrahur në rajon. Në kategorinë e subvencioneve kemi përkrahur 28 mijë e 222 fermerë bujqësor, të cilët përfituan 61.8 milionë euro dhe për herë të parë brenda vitit kalendarik fiskal janë ekzekutuar të gjitha pagesat për subvencione. Në kategorinë e granteve gjatë vitit 2022 janë ndarë 26 milionë euro , nga këto mjete janë përfitues 472 fermerë, janë kontraktuar 282 projekte në grante duke përfshirë këtu edhe depot e grumbullimit dhe të përpunimit të pemëve”, tha Peci.

Ministri i Bujqësisë theksoi se kanë arritur që ta kthejnë meritokracinë dhe transparencën në këtë dikaster. Dhe kështu, sipas tij, për keqpërdoruesit presin të trajtohen 400 lëndë nga Prokuroria e Shtetit.

Peci: Për keqpërdoruesit e pronave kemi adresuar 400 lëndë në prokurori

“Denoncimi dhe demaskimi I keqpërdoruesve të pronave ka marrë drejtimin e duhur, për pronat e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe të Institutit të Bujqësisë. Janë dërguar në prokurori 400 lëndë, të cilat meritojnë që të hetohen për ecurinë se si janë vlerësuar në të kaluarën procesi i granteve . Ministria e bujqësisë ka ndarë mbi 2.8 milionë euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi për 1 mijë e 17 fermerë nga 22 komuna të Kosovës”, theksoi ai.

Se po ia kthejnë vlerën bujqësisë në vend, ministri Peci përmendi një bashkatdhetar I cili është kthyer nga Gjermania për të punuar në bujqësi.

Peci: Ka fermerë që është kthyer nga Gjermania për të punuar në Kosovë

Janë dy tri raste me fermerë kur kam qenë duke u futur në Ministrinë e Bujqësisë, në këto dy tri javët e fundit, që më kanë bërë të ndihem mirë. Njëri prej fermerëve më ka treguar se ka vendosur me ardhur prej Gjermanisë për shkak se është përfitues i grantit dhe se nuk do të vazhdon të jetë më në Gjermani. Ndërsa, dje derisa hyra në objektin e ministrisë, një burrë mu drejtua me shprehjen; “O burrë”, ia ktheva, urdhëro burrë! Tha; ‘më ka ndodhur diçka dhe nuk po mundem me besuar. Gjithë kam aplikuar në Ministri të Bujqësisë, kurrë nuk e kam realizuar këtë të drejtë dhe për herë të parë këtë vit e kam fituar grantin”. Kështu që këto raste mua më japin motiv me punuar ditë e natë që të jemi në shërbim të fermerëve”, theksoi ai.

Ministri Peci theksoi se për këtë vit ka realizuar mbi 150 vizita tek fermerët në gjithë territorin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat