Nis mësimi pas Vitit të Ri, nxënësit dhe mësimdhënësit të pakënaqur me numrin e ditëve të pushimit

Kosova

Nis mësimi pas Vitit të Ri, nxënësit dhe mësimdhënësit të pakënaqur me numrin e ditëve të pushimit

Më: 4 janar 2023 Në ora: 14:26
Foto ilustrim

Në ditën e katërt të Vitit të Ri, nxënësit iu kanë kthyer bankave shkollore pas festave të fundvitit dhe procesi mësimor po zhvillohet normalisht në Prishtinë.

Megjithatë nxënësit dhe mësimdhënësit vlerësojnë se ishte dashur me pasur ditë pushimi më shumë këtë fillim vit sikur viteve paraprake. Për Vitin e Ri, festë zyrtare ishte të hënën dhe të martën.

Ministria e Arsimit, me vendim ka ndryshuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022 si pasojë e grevës së mësimdhënësve.

Sipas kalendarit, gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërkaq, pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023.

Përkundër që ka dalë në punë sot, mësimdhënësi i shkollës “Naim Frashëri”, Astrit Kasapolli thekson se pushimi pas Vitit të Ri do të duhej të vazhdonte edhe më gjatë në arsim.

Kasapolli: Kishte qenë e arsyeshme të kishim pushim më shumë

“Ndoshta kishte qenë e arsyeshme me qenë pushimi më I gjatë, me nisë mësimi prej ditës së martë të javës së ardhshme, meqë të hënën është festë zyrtare. Por, është institucioni i arsimit që ka vendosur, dhe ne duhet me i përfillur vendimet dhe me vazhduar mësimin”, theksoi ai.

Edhe nxënësja Bulëza Bërnica tha se ka pasur dëshirë që për Vitin e Ri të kishte më shumë ditë pushimi.

Bërnica: Kemi pasur dëshirë që pushimi me qenë më i gjatë për Vitin e Ri

Pushimet, festat për fundvit kanë shkuar mirë. Kishim pasur dëshirë që pushimi të ishte edhe më i gjatë. Festat i kemi kaluar mirë me familje”, theksoi ajo.

Më shumë ditë pushimi ka kërkuar edhe Flandër Turjaka nxënëse në shkollën “Naim Frashëri”, në Prishtinë.

Turjaka: Për fundvit do të ishte dashur të kishim ditë pushimi më shumë

“Mendoj që për festat e fundvitit ishte dashur që pushimi me qenë më i gjatë për me i shijuar më shumë festat e fundvitit me familjarët tanë”, theksoi ajo.

Zëvendësdrejtoresha e shkollës “Naim Frashëri”, Drita Qorolli ka thënë se mësimi në këtë shkollë ka filluar normalisht dhe sot kanë marrë pjesë në mësime 99 për qind e nxënësve.

Fillimi i mësimit menjëherë pas Vitit të Ri, nuk e ka penguar zëvendësdrejtoreshën Qorolli, pasi që sipas saj moti i mirë këto ditë është në favor të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Qorolli: Mësimi ka filluar normalisht

“Pas festimit të këtyre ditëve festive mësime tek ne ka filluar normalisht, 99 për qind të nxënësve kanë ardhur sot në shkollë, edhe pse disa prindër kanë insistuar dhe sipas Këshillit të prindërve të Kosovës ka qenë kërkesë me vazhduar pushimi dimëror sikur viteve të tjera, mirëpo fëmijët sot kanë ardhur në shkollë dhe të përgatitur për mësim, me orar të rregullt vazhdohet mësimi sipas vendimit që është marrë nga Ministria e Arsimit për zëvendësimin e ditëve të humbura në grevë... Personalisht mua nuk më ka penguar, edhe pse ndoshta jemi mësuar me vite të tëra, pushimi dimëror ka qenë i planifikuar gjithmonë pas datës 31 dhjetor, dy javët e para të muajit janar. Por, megjithatë, edhe pse është koha e mirë, ta shfrytëzojmë për t’i kryer obligimet tona”, tha Qorolli.

Edhe zëvendësdrejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë, Sofije Janova tha se si institucion po i respektojnë vendimet e Ministrisë së Arsimit për mbajtjen e mësimit.

Janova: Mbi 98 për qind e nxënësve kanë ardhur në shkollë

“Po, sot kemi një fillim të mirë të vitit shkollor, nxënësit i janë përgjigjur mësimit. Sot të pranishëm në ciklin 6-9 janë rreth 98.8 për qind të nxënësve. Kështu që çdo gjë po funksionon mirë dhe po shkon mirë… Këtë vit ishte një specifikë tjetër, kështu që është e natyrshëm dhe i mjaftueshëm edhe ky pushim që kemi pasur dhe kemi nis mirë”, theksoi ajo.

Mësimdhënësi Fatos Ferizaj tha se shumica e nxënëseve kanë ardhur në shkollë dhe mësimi është duke u zhvilluar me rregull.

Ferizaj: Mësimi është zhvilluar me rregull

“Nga ajo që kemi parë sot, shumica e nxënësve kanë ardhur. Mësimi është zhvilluar me rregull pas një atmosfere festive dhe filloi çdo gjë mirë”, u shpreh Ferizaj.

Duket se pushimin sot e ka vazhduar drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”, e cila nuk kishte dalë në punë.

Mësimi u zhvillua edhe në shkollën “Elena Gjika”, por KosovaPress në vendin e punës nuk i gjeti as drejtuesit e kësaj shkolle, drejtorin dhe zëvendësdrejtorin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat