Konflikti për piper të kuq në lokalin “Te Skenda”, përfundon me 4 vite burg për të akuzuarit

Kosova

Konflikti për piper të kuq në lokalin “Te Skenda”, përfundon me 4 vite burg për të akuzuarit

Më: 12 janar 2023 Në ora: 15:43
Pamje nga gjykimi

Sadik Malaj është dënuar me 3 vite burgim dhe 500 euro gjobë pasi akuzohet se në korrik të 2022-ës ka tentuar ta vrasë me thikë të kuzhinës Jusen Jusenoviq, për shkak të një konflikti që kishte ndodhur në kafene. Ndërsa, Jusenoviq është dënuar me një vit burgim pasi akuzohet se në lokalin “Te Skenda” në Obiliq ka rrahur Malajn shkaku se ky i fundit kishte harruar t’ia sillte piperin e kuq.

Aktgjykimi është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Avni Syla.

Sipas aktgjykimit Malaj për veprën penale “Vrasje në tentativë” është dënuar me 3 vite burgim ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” është dënuar me 500 euro gjobë.

Ndërsa i akuzuari Jusenoviq për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” është dënuar me 1 vit burgim.

Gjykatësi Syla tha se në rast se dënimi me gjobë nuk paguhet në afatin e caktuar, të akuzuarit Malaj do t’iu zëvendësohen me ditë burgu.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit Malaj do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak si dhe të njëjtit iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak.

Po ashtu u konfiskua edhe thika si mjet i kryerjes së veprës penale.

Të akuzuarit po ashtu janë të obliguar të i paguajnë shpenzimet procedurale dhe atë secili veç e veç nga 100 euro për paushallin gjyqësorë dhe nga 50 euro për kompensim të viktimave të krimit.

Ndërsa palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore- juridike u udhëzuan në kontest juridiko-civil kurse palët e pa kënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 korrik 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Sadik Malaj më 23 shkurt 2022, rreth orës 14:45, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit që gjendet në Obiliq, ka tentuar që ta privojë nga jeta të pandehurin Jusen Jusenoviq, për shkak të një konflikti që kishte ndodhur në kafenenë  “Te Skenda”.

Aktakuza thotë se i pandehuri Malaj merr thikën e kuzhinës, i shkon prapa ku e takon në oborrin e shtëpisë së tij, që ishte larg rreth 100 metra dhe nga prapa e godet një herë me thikë në shpinë, ku tehu i thikës i mbetet në shpinë, ndërsa dorëzën e thikës e hedhë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e kësaj, thuhet se të pandehurit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore njëri-tjetrit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kohë, vend dhe mënyrë si në pikën 1 të dispozitivit të kësaj aktakuze, i pandehuri Sadik Malaj thuhet se pa autorizim ka poseduar armë-thikën, me të cilën e ka kryer veprën penale si në pikën 1 të dispozitivit të kësaj aktakuze.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Jusen Jusenoviq më 23 shkurt 2022, në kafenenë “Te Skenda”, e cila gjendet në Obiliq, i ka shkaktuar lëndime të rënda  trupore tani të pandehurit Sadik Malaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Jusenoviq ka shkuar në kafene dhe ka porositur ushqim, pasi që i është ofruar ushqimi i porositur, ka kërkuar edhe piper të kuq, ku i pandehuri Sadik kishte harruar që t’ia sillte e ndërkohë i bie në mend se ka harruar porosinë e marrë dhe ofrohet që edhe një herë ta pyes se çka ka porositur.

Si pasojë e kësaj, aktakuza thotë se fillon fjalosja e tyre, ku i pandehuri Jusenoviq ngritet në këmbë e kapë për gjoksi dhe me kokë e godet në fytyrë të pandehurin Malaj, i cili rrëzohet në tokë e më pastaj ngritet, fillojnë të rrahjen në mes vete, ku pronari i lokalit S. së bashku me djalin e tij D.S ndërhyjnë dhe i ndajnë, ku të pandehurin Sadik Malaj e fusin në kuzhinë, ndërsa i pandehuri Jusen del nga lokali niset për në shtëpi, me ç ‘rast të pandehurit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat