​“Mos e fuqizoni Serbinë”, organizatorët tregojnë për fushatën për bojkotimin e produkteve serbe

Kosova

​“Mos e fuqizoni Serbinë”, organizatorët tregojnë për fushatën për bojkotimin e produkteve serbe

Më: 12 janar 2023 Në ora: 16:33
Almira Qupeva

Grupi “Besa Besë” bën thirrje që të mos blihen produktet serbe në dyqane. Grupi me moton “Mos bli produkte serbe” ka mision vetëdijesimin paqësor të popullatës për të mos konsumuar prodhime serbe ashtu që të mos fuqizohet ekonomikisht Serbia.

Anëtarja e grupit “Besa-Besë”, Almira Qupeva, tha për KosovaPress se kauza e këtij grupi me mbi 100 mijë anëtarë ka qenë dhe mbetet fushata për bojkotimin e prodhimeve serbe.

Qupeva: Kauza jonë vazhdon të jetë për bojkotimin e prodhimeve serbe

“Kauza kryesore e këtij grupi ka qenë dhe vazhdon të jetë bojkotimi i prodhimeve serbe. Në fillim të themelimit të grupit, ka pasur një interesim më të vogël nga qytetarët, mirëpo jemi rritur si grup dhe tani më grupi numëron 105 mijë anëtarë. Ne kemi pasur aktiviteteve me prezencë fizike, mirëpo kryesisht fokusin e kemi pasur me platformat elektronike, kryesisht në rrjetet sociale”, thekson Qupeva.

Anëtarja e këtij grupi, Qupeva ka thënë se bojkotimi i produkteve serbe është shtuar pas situatës në veri. Teksa shton se pas kësaj fushate, shumë produkte serbe kanë mbetur nëpër markete pa u shitur.

Qupeva: Bojkotimi i produkteve serbe është shtuar pas situatës në veri

“Interesimi për bojkotimin e produkteve serbe është rritur sidomos pas situatës së krijuar në veri të Kosovës. Kjo situatë ka ndikuar që të rritet edhe numri i anëtarësisë dhe në zhvillimin e aktiviteteve. Dhe siç po vërehet, tashmë është bërë temë diskutimi në Kosovë bojkotimi i produkteve serbe. Secili konsumator pothuajse ka për qëllim bojkotimin e produkteve serbe. Kemi marrë lajme të mira nga institucionet e shtetit se ka rënie të importit të mallrave. Po ashtu ka produkte serbe në aksion nga disa markete, gjë e cila tregon që produktet serbe nuk janë shitur kohët e fundit”, thotë Qupeva.

Qupeva ka thënë se Kosova nuk duhet ta fuqizojë Serbinë me importimin e prodhimeve serbe.

Qupeva: Kosova mos ta fuqizojë Serbinë me importimin e prodhimeve nga ky shtet

Përderisa shteti fqinj ende krijon pengesa në aspektin e integrimit të Kosovës në struktura ndërkombëtare evropiane dhe bën propagandë për situatën në Kosovë, si dhe ka tendenca për të nxitur konflikte të reja. Ne si grup mendojmë që paratë tona dhe ekonomia jonë nuk duhet ta fuqizojë shtetin serb i cili ka ende ka tendenca për t’u rikthyer këtu dhe për të filluar luftë”, theksoi ajo.

Një brengë tjetër e këtij grupi mbetet edhe keqpërdorimi i simboleve të shtetit të Kosovës në produktet me origjinë serbe nga disa tregtarë. Këtë problematikë, ajo tha se e kanë adresuar në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Grupi “Besa Besë”, është themeluar në shtator të vitit 2021, për bojkotimin e produkteve serbe. Ndryshe, një numër jo i madh i marketeve në vend nuk posedojnë produkte serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat