KEK denoncohet se nënshkroi kundërligjshëm kontratën për shitje të qymyrit, kompania Feniks Energji ankohet në OSHP

Kosova

KEK denoncohet se nënshkroi kundërligjshëm kontratën për shitje të qymyrit, kompania Feniks Energji ankohet në OSHP

Më: 12 janar 2023 Në ora: 23:22
Korporata Energjetike e Kosovës

Korporata Energjetike e Kosovës është denoncuar se ka lidhur kundërligjshëm kontratë me kompaninë FERSHPED SHPK., lidhur me tenderin për shitjen e aseteve përmes ofertimit publik, që ka të bëjë me shitjen e qymyrit.

Kontrata fillimisht nuk është nënshkruar nga kjo kompani, për shkak të mosplotësimit të kushteve dhe kërkesave për ndryshimin e tyre, përkundër që janë shpallur fitues. KEK ka refuzuar këto kërkesa, ndërsa në anën tjetër kompania ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Por gjatë kësaj periudhe që aktiviteti duhet të pezullohet, KEK po dyshohet se ka nënshkruar kontratë duke shkelur ligjin për Prokurimin Publik.

Për këtë vendim, operatori ekonomik që është ranguar në vendin e dytë, Feniks Energji SHPK, ka bërë ankesë kundër KEK-ut, në OSHP, përmes avokatit të tyre, Halit Shaljani. Gazeta Sinjali ka siguruar këtë ankesë ku janë renditur shkeljet që kompania Feniks pretendon se janë bërë nga KEK, duke kërkuar që ankesa e tyre të aprovohet dhe të anulohet vendimi për dhënie të kontratës.

Kompania Feniks Energji po pretendon, se Autoriteti Kontraktues, në këtë rast KEK, dyshohet se ka shkelur 15 nene të Ligjit për Prokurimin Publik.

Kur u shpall fituesi i tenderit dhe cilat janë kushtet të cilat nuk i pranoi kompania Fershped pasi aplikoi duke u bazuar në ato kritere

Fillimisht më 12 gusht, është hapur tenderi nga KEK për shitjen e aseteve përmes ofertimit publik, që ka të bëjë me shitjen e qymyrit prej 100 mijë tonësh. Çmimi i përcaktuar për shitjen e qymyrit ka qenë në vlerë prej 3.422.000.00. Para afatit të fundit të dorëzimit të tenderit, tenderuesi është dashur të depozitojë shumën në vlerë prej 50,000.00 euro në llogari të KEK.

Sipas ankesës së Feniks, në kriteret e dhënies së kontratës, theksohet se nëse për çfarëdo arsye, ofertuesi me çmim më të lartë dështon në përmbushjen e kushteve për nënshkrimin e kontratës apo tërhiqet nga procedura e shitjes/blerjes, do t’i konfiskohet depozita e ofertës.

Pa u bërë 2 muaj, më 5 tetor, KEK ka nxjerrë vendim për njoftimin se fitues i tenderit është OE Fershped SHPK., i cili ka ofruar çmimin më të lartë për qymyr, 45.10 pa TV për ton në sasi prej 100 mijë ton, ku ka ofruar vlerë totale prej 5.321.800.00.

Pas disa ditësh, saktësisht më 12 tetor, Autoriteti Kontraktues ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për shitje, por edhe pas këtij njoftimi nuk është arritur marrëveshje për nënshkrim të kontratës, gjë për të cilën ofertuesit nuk kanë qenë fare në dijeni.

Pse nuk u nënshkrua kontrata?

Operatori ekonomik Fershped SHPK, dyshohet se duke mos qenë të gatshëm t’i plotësojnë kushtet që janë paraparë në tender, më 24 tetor ka dërguar e-mail në AK, ku ka bërë kërkesë për sigurimin e ekzekutimit të kontratës në vlerë të 50% të ofertës së tyre. Ata kanë kërkuar ndryshime të disa prej kushteve thelbësore para nënshkrimit të kontratës, me ç’rast kanë komunikuar me KEK, pa dijeninë e ofertuesve të këtij tenderi.

Pra kjo kompani nuk ka parashtruar ankesë te AK ose OSHP lidhur me këto kushte para aplikimit, pra i bie që është pajtuar. Sipas ankesës, pas njoftimit se janë shpërblyer me kontratë, kanë paraqitur kushte të reja, duke kërkuar nga AK që si blerës të formalizojë draftin e kontratës, por me kushtin që implementimi i kësaj kontrate të shtyhet për së paku  dy muaj e po ashtu edhe depozitimit të sigurimeve.

Pasi ky operator ekonomik nuk e ka përmbushur kushtin thelbësor të garancionit bankar, në vlerë të 50% të vlerës sa është blerë qymyri, AK më 9 nëntor, ka nxjerrë vendim ku njofton se KEK ka shpërblyer me kontratë “Fershped” SHPK, por ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës, pasi që kjo kompania ka dështuar të nënshkruajë kontratën dhe pagesën e depozitit, dorëzimin e garancionit bankar.

Pas këtij njoftimi, më 14 nëntor, Fershped SHPK ka bërë kërkesë për rishqyrtim, e cila pas dy ditësh është refuzuar, pasi KEK fillimisht nuk ka pranuar kushtet për rishqyrtim të kontratës, të cilat binin ndesh me kushtet e dosjes së tenderit. Pas këtij refuzimi, Fershped SHPK ka bërë ankesë në OPSH.

Duke pasur parasysh që kjo kompani nuk ka arritur t’i plotësojë kushtet, AK do të duhej që të lidhte kontratë me vendin e dytë, pra Feniks Energji SHPK., e cila  ka dërguar shkresat duke njoftuar se janë të gatshëm t’i plotësojnë kushtet. Por, nuk kanë marrë përgjigje.

Pavarësisht se aktiviteti i prokurimit ka qenë i pezulluar për shkak të ankesës së parashtruar në OSHP, kompania Feniks pretendon se AK ka vazhduar të zhvillojë kontrata me operatorin ekonomik Fershped SHPK.

Sipas ankesës së parashtruar nga avokati i kësaj kompanie, Halit Shaljani, më 12 dhjetor, duke i shkelur procedurat e Ligjit për Prokurim dhe vendimet e tjera, KEK ka nënshkruar kontratë me Fershped SHPK pa pranuar garancionin për sigurimin e ekzekutimit, pa u tërhequr ankesa nga OSHP dhe duke e mohuar të drejtën e ankimit ndaj njoftimit për shpërblim me kontratë.

Kjo kompani pretendon se AK ka vepruar në bazë të propozimeve të Fershped SHPK, të cilat janë refuzuar dhe kjo vë në dyshim se sipas tyre ka pasur marrëveshje paraprake sipas tyre në mes të KEK dhe Fershped SHPK.

Lidhja e kontratës para tërheqjes së ankesës në OSHP

Pasi është lidhur kontrata mes KEK dhe kompanisë Fershped, kjo e fundit dyshohet se ka dërguar email ku kërkon tërheqjen e ankesës, që i bie se ende pa u marrë vendimi për aprovimin e kërkesës është lidhur kontrata.

Pas kësaj, më 15 dhjetor, Autoriteti Kontraktues ka nxjerrë njoftim me të cilin i ka njoftuar operatorët ekonomikë në garë se kinse kanë nxjerrë vendim për shfuqizimin e vendimit me të cilin është anuluar njoftimi  për dhënie të kontratës. Pra ky vendim do të duhej të ndodhte para lidhjes së kontratës, gjë që ua jep mundësinë operatorëve për ankimim.

Operatori Feniks Energji SHPK po pretendon se KEK ka vepruar kundërligjshëm, duke vënë në lajthitje edhe OPSH-në, e cila sipas tyre s’ka qenë në dijeni për ekzistimin e njoftimit për anulimin e dhënies së kontratës. Sipas tyre, OSHP po ashtu s’ka qenë në dijeni se kontrata është lidhur me 12 dhjetor, e vendimi i OSHP për ankesë është marrë më 19 dhjetor.

Njoftimin për këto vendime, Autoriteti Kontraktues nuk ka arritur t’i ngarkojë në platformën e-prokurorimi, por vetëm përmes postës elektronike.

Me të gjitha këto pretendime, Feniks Energji që është ranguar në vendin e dytë, ka bërë ankesë në OSHP më 30 dhjetor, me arsyetimin se iu është mohuar e drejta e ankimit dhe për mostransparancën e KEK-ut që sipas tyre ka shkelur të drejtat e ofertuesve.

“Duke marrë parasysh se ekzistojnë dhjetëra shkelje që janë shtjelluar në ankesë, kjo kompani i propozon Panelit Shqyrtues të OSHP, që të aprovohet ankesa, që të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe të obligojë KEK që të zhvillojë procedura konform Ligjit për Prokurimin Publik dhe në rishqyrtim të ftojë operatorin e ranguar në radhë që të lidhë kontratë bazuar në kushtet e dosjes së tenderimit”, përfundon ankesa e Feniks Energji SHPK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat