Banja e Kllokotit së shpejti me hotelin e tretë me renome evropiane

Kosova

Banja e Kllokotit së shpejti me hotelin e tretë me renome evropiane

Më: 13 janar 2023 Në ora: 13:38
Banja e Kllokotit

Spitali special për terapi fizikale me rehabilitim Banja e Kllokotit, këtë vit do të hap edhe hotelin e tretë me renome evropiane. Drejtori i spitalit, Nezir Rexhepi thotë se kjo pritet të ndodhë në shtator të vitit 2023.

Rexhepi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se viti 2022 ka qenë më i mirë se vitet e mëparshme sa i përket kapacitetit që kanë ofruar.

Sipas tij, në spitalin që e udhëheq nuk është ndjerë efekti i pandemisë dhe lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë.

Ai tregon se si rezultat i sukseseve janë duke u zgjeruar edhe me një spital të ri, i cili pritet të ketë 500 shtretër, derisa thekson se do pranohen edhe 100 punëtorë të rinj.

Rexhepi: Pas 10 viteve shtojmë edhe 500 shtretër, po ashtu do pranohen edhe 100 punëtorë të rinj

“Vitin e parë që kemi ardhur këtu ne e kemi marrë banjën me rreth 300 shtretër, pas dy viteve e kemi rritur në rreth 800 shtretër dhe tash pas 10 viteve i shtojmë edhe 500 shtretër. Ne nuk kemi menduar ta shikojmë vetëm profitin tonë, ne kemi menduar si të jenë të rehatshëm pacientët, që t’i kenë kushtet si në perëndim, për të ardhur me atë rrogë të shërohet dhe t’ia plotësojmë kushtet për aq ditë sa qëndron. Hotelin që e kemi tash, të tretin me radhë është me renome evropiane e që në Ballkan nuk ka, vetëm në Evropë nëse ka si banjë, sepse hotele ka në Ballkan ndoshta edhe më të mira, por si banjë nuk ka në rajon. Në fund të shtatorit do ta lëshojmë në përdorim, po ashtu do pranohen edhe 100 punëtorë të rinj”, tregon Rexhepi.

Drejtori i “Banjës së Kllokotit”, thotë se krahas sukseseve nevojiten edhe aparatura të reja. Derisa shton se kërkesat e tyre ndaj institucioneve nuk kanë gjetur mbështetje.

Rexhepi: Kërkesat që i kemi janë adresuar në institucione, por nuk kemi marrë përgjigje

“Si biznes kemi nevojë për aparaturë që dëshirojnë me porosit, shembull e kemi në plan të lëshojmë në përdorim hotelin e ri me 500 shtretër, por pajisjet që dëshirojmë t’i importojmë nuk mundemi direkt për nevojat e spitalit tonë. Arsyeja është se ministria nuk lejon, nuk jep licencë në aparaturën që duhet, kemi bërë disa herë kërkesa, na llogarisin sikur një farmaci e vogël që është private, njëjtë e kemi të drejtën me farmaci. Kam qenë edhe në Ministri të Shëndetësisë edhe në Ministri të Infrastrukturës, nuk ka përgjigje, llafe sa të duash por punë nuk ka. Për këtë nuk jemi të kënaqur me udhëheqësit që vijnë”, shton Rexhepi.

Rexhepi konsideron se bizneset e tilla duhet të kenë mbështetje nga shteti. Sipas tij, qeveria masat që Qeveria e Kosovës ka ndarë për sektorin privat nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Rexhepi: Shteti nuk na ka ndihmuar mjaftueshëm

“Shteti nuk ka pas ndihmesë, as në pandemi shumë pak, ka bërë ndihmese sikur te një qendër tregtare që ka punuar, si te ne që s’kemi punuar shtatë muaj, vetëm nga 2 rroga kanë marrë punëtorët, një e ka qit si në formë të rrogës për firmën dhe shtatë muaj s’kemi punuar... Ne që dy vite i ngrisim pagat për 10 për qind, qeveria nuk ka ndihmuar asgjë me masa”, shton mes tjerash Rexhepi.

E në kohën kur bizneset përgjithësisht deklarojnë se kanë probleme për rekrutim të stafit, Rexhepi thotë se ata qëndrojnë mirë sa i përket burimeve njerëzore.

Rexhepi: Nuk kemi problem me staf, pasi çdo herë mbajmë rezervë

“Te ne ka staf, për arsyeje se ka qendra të universiteteve në masë më të madhe siç ka qenë përpara, ka pak vështirësi sepse ne po i përgatitim rreth katër vite dhe nëse i bëhet viza shkon, por prapë mbajmë rezervë, nuk ka vështirësi”, thotë Rexhepi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat