“Tryeza e Flakës” ngjall kujtimet e betejës së gjatë për çlirimin e Kosovës

Kosova

“Tryeza e Flakës” ngjall kujtimet e betejës së gjatë për çlirimin e Kosovës

Më: 14 janar 2023 Në ora: 17:13
Foto ilustrim

Është mbajtur Tryeza e Flakës, në të cilën është diskutuar rreth historisë së “Flakës së Janarit” në të cilën është folur për fillet e manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit”, sikurse që ka patur edhe kumtesa rreth personaliteteve që u kushtohet ky manifestim.

Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e komunës së Gjilanit, në emër të institucioneve komunale, ka thënë se “Flaka e Janarit” është një manifestim që identifikohet me Gjilanin, por që i cili njëkohësisht i dha identitet këtij qyteti. Sipas saj, vargut të pafund të luftëtarëve për liri i përkushtohet ky manifestim, i cili arriti një nivel të lartë kulturor dhe që tash e 32 vite Gjilanin e bënë kryeqytet kulturor të shqiptarëve.

Studiuesja Sabile Keçmezi – Basha, që është paraqitur me një studim të sajin në këtë tryezë, ka theksuar se “Flaka e Janarit” nderon sakrificën e heronjve që ranë për liri që nga periudha e Skënderbeut e deri te lufta çlirimtare. Ajo pati një paraqitje kronologjike, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore e këtej, duke u ndalë në të gjitha periudhat e rëndësishme që nga kërkesat për flamur e për republikë, vullnetin për liri dhe që pikërisht në këto kohë “Flaka e Janarit” nisi rrugëtimin e saj, pikërisht në kohën e suprimimit të autonomisë së Kosovës e në mungesë të lirisë.

Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe njëri nga nismëtarët e “Flakës së Janarit”, tha se ky manifestim mbajti gjallë idealin për liri. “Manifestimi arriti që të kryejë misionin e tij përmes artit e krijimtarisë”.

Duke rikujtuar nismat e para për krijimin e këtij manifestimi, Syla tha se “ishin kohë të vështira, kohë okupimi klasik, por që nismëtarët nuk u ndalën, të frymëzuar nga heroizmi i Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës e i heronjve të tjerë”.

Foli se si emërtimin “Flaka e Janarit” e kishte propozuar Hydajet Hyseni, si u rindërtua miniteatri në Bresalc, si u vazhdua me manifestim në Përlepnicë e më pas edhe në Gjilan, duke shtuar se “Flaka e Janarit” kishte për qëllim mbajtjen gjallë të luftës për çlirim.

Flaka e Janarit u ngrit nga djemtë e këtij populli, të cilët bartën barrën kryesore edhe në luftën çlirimtare”, tha zëvendësministri Shemsi Syla.

Studiuesi Ilir Vokshi foli mbi “Represionin serb pas vitit 1981”, duke thënë se “vetëm në Prishtinë pas demonstratave të vitit 1981 pati nëntë të vrarë dhe 15 të plagosur”.

Ai përmendi edhe kërkesat e kësaj demonstrate, që në qendër kishin kërkesën për Kosovën Republikë, foli edhe për mijëra vjet burgim për demonstruesit, për përjashtimet nga puna, institucionet arsimore, por edhe vazhdimin e luftës për liri, duke u formuar një numër i madh i organizatave të fshehta.

Albin Halimi, në fjalën e tij është ndalë te jeta dhe vepra e Kadri Zekës. Ai ka folur për aktivitetin e Kadri Zekës në grupin Revolucionar të Kosovës, për qëllimet atdhetare të tij dhe të shkove të tij, për botimin e gazetës “Liria” në Zvicër, bashkëpunimin me vëllezërit Gërvalla, mbajtjen e lidhjes së fuqishme me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe për veprimtarinë e Kadri Zekës gjatë e pas demonstratave të vitit 1981 deri në rënien heroike më 17 janar 1982.

Studiuesi Sefedin Halimi, duke folur për veprimtarinë atdhetare të Rexhep Malës, tha se ai ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968. Foli për largimin nga vendi, arrestimin e tij, qëndrimin burrëror në burg dhe lirimin në vitin 1983, ku përkundër kësaj nuk e ndali aktivitetin atdhetar dhe nuk u dorëzua kurrë. “Për Rexhep Malën çlirimi dhe bashkimi kombëtar ishte ideal mbi të gjitha idealet”, tha ky studiues.

Për veprimtarinë e Nuhi Berishës, studiuesi Rexhep Arifi paraqiti fragmente kujtimesh për këtë atdhetar.

Ai tha se “Nuhi Berisha që nga mosha e re iu bashkua lëvizjeve ilegale dhe se pati aftësi të jashtëzakonshme komunikuese”.

“Ishte njeri i sakrificave, shkruante parulla e shpërndante trakte”.

Sipas Arifit, Nuhi Berisha ishte organizator i formacioneve të para stërvitore për luftën e armatosur. “Ai rrugëtoi me Rexhep Malën, deri në rënien heroike në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë”, tha Berisha.

Në këtë tryezë në pjesën diskutuese morën pjesë edhe Tefik Basha, Lulzim Zymberi e Ibush Llapashtica, që evokoi kujtime të qëndrimit ilegal të Rexhep Malës e Nuhi Berishës në shtëpinë e tyre.

Kjo tryezë është organizuar me përkrahjen e Komunës së Gjilanit, Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat