Përkujtohet Kadri Mani në 10-vjetorin e amshimit

Kosova

Përkujtohet Kadri Mani në 10-vjetorin e amshimit

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 19 janar 2023 Në ora: 16:52

Shqiptarët kanë një histori e hidhur me emigracionin dhe burgjet politike. Ideologjia komuniste në dy shtetet fqinjë, Shqipëri-Jugosllavi, ka rënduar jetën e shqiptarëve dhe sikur kanë garuar kush më shumë shqiptarë arreston, maltreton, terrorizon, deri në vrasje individuale dhe grupore. Pavarësisht zënkave verbale, të dyja shtetet komuniste, Jugosllavi-Shqipëri, që nga Lufta e Dytë Botërore 1941, e deri në vitet e pluralizmit politik, në vitin 1990, kanë koordinuar dhe bashkëpunuar, në fshehtësi, mes tyre. Dhe, janë shqiptarët kombëtarë, të cilët janë përgjakur nga sistemet komuniste shqiptare dhe jugosllave. Sepse për ideal kanë pasur bashkimin e trojeve shqiptare, në etninë e tyre natyrale.

Goditja e egër kundër intelektualëve atdhetarë, kundra komunistë, ka ndodhur në Shqipërinë londineze, duke filluar nga viti 1941, kur emisarët jugosllavë themeluan Partinë Komuniste të Shqipërisë. Dhe, kolonët serbë e malazezë, vunë në krye të partisë dhe shtetit shqiptar agjentin e tyre, Enver Hoxhën, me rrethin e tij vicioz byroistë, shërbëtorë besnikë të jugosllavëve dhe rusëve. Pa përdorur shifra tjera, të përndjekjes vrastare të kundërshtarëve politikë, mjafton të përmendim faktin e 6.000 anti-komunistëve të mbetur pa varre! Kujtoni statujat e diktatorëve sovjetikë në sheshin qendror të Tiranës!

Në Kosovë, në mes tjerëve, janë dy figura markante, të përkushtimit unik, për lirinë e Kosovës: "Edhe nëse 99 herë të biem, sërishmi të ngrihemi", - kushtrimonte atdhetari Petro Nini Luarasi. Dhe, këtë porosi, besnikërisht, e kanë kryer Adem Demaçi dhe Kadri Osmani - Mani. Ata nismuan veprimtarinë poltike ilegale, për të pritur, vetëdijshëm, edhe vuajtjet shpirtërore dhe fizike, siç është izolimi, burgu, ndër vite e dekada. Burgjet politike i filluan në vitet `60-a dhe i funduan në vitet`90-a. Që të dy u përballën me tri gjyqe e tri dënime, gjithnjë grupore, me shokë. "Trimi i mirë, me shumë shokë",- thotë urtësia.

Pse është anashkaluar nga pushtetarët majtistë Kadri Mani?!

Kadri Mani ka qenë parimor dhe i pakompromis me të keqen. Angazhimi i tij jetësor ka qenë liria, Atdheu. Për këtë ka vuajtur burgjet, sa të gjata, aq edhe të rënda. Krimet serike vrastare politike dhe hajnitë zyrtare, u bënë normë dhe mision të disa "biçim komandantësh", gjatë dhe pas luftës. Kadriu, guximshëm, perifrazoi konstatimin e saktë të Presidentit Rugova se vrastarët e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut dhe të intelektualëve e veprimtarëve shqiptarë, "janë dorë e zgjatur e Serbisë, ata janë vrasësit e pavarësisë". Dhe, kjo u dëshmua, katërçipërisht, e vërtetë.

Kadri Mani i njihte, "si parën e kuqe" këta "soj komandantësh", të cilët nuk ishin as themelues të UÇK-së dhe aq më pak pjesë e luftës. Përkundrazi, në koordinim me Tiranën zyrtare, social-komuniste, e sabotuan luftën, duke e pamundësuar hyrjen në luftë, në Kosovë të asaj "UÇK-je të LPK-së", madje edhe duke i denoncuar e vënë në pritat armike, të disa nga kuadrot e hershëm të LPK-së, të cilët luftonin në Kosovë, pa lejen dhe urdhrin e "Shtabit të Rogner-it"! Asnjëri nga SHTAB-istët e Rognerit nuk pësoi, e mbijetuan "luftën" dhe u bënë milionerë!

Kadriu ishte trim. U ballafaqua me "komandantët" në Zvicër e Tiranë, para e gjatë luftës dhe në Kosovë pas luftës. I denoncoi dhe i akuzoi për krimet faktike, me gojë dhe me shkrim, media.

Kadri Mani ishte mik i hershëm i Rugovës. Akuzave shpifëse e denigruese të puçistëve të LPK-së se djeshme dhe të PAN-istëve të sotëm, kundër Presidentit plebishitar, Ibrahim Rugova, iu përgjigjë me botimin e dy librave: "Rugova fitoi në Kosovë dhe në Hagë" dhe Dr. Ibrahim Rugova - Njeriu i Pavarësisë". Dhe, kjo i tërboi hileqarët e partive-banda të PAN-it. Andaj, edhe pse është në dyshen e parë të veprimtarëve dhe burgaxhinjëve politikë të Kosovës, hakmarrja e kuqaloshëve matrapazë e anashkaloi, burracakërisht dhe turpshëm!

Megjithatë, Kadri Mani gëzoi dhe gëzon respektin e partive të djathta, e mediave kombëtare; të Shoqatës numerike të ish të burgosurve politikë dhe të gjithë shqiptarëve botërorë atdhedashës. Dhe, ky është vlerësimi dhe shpërblimi më i madh, për njeriun që punoi dhe luftoi tërë jetën, për një Atdhe të lirë dhe të bashkuar.

Kadri (Os)Mani, me grupin ilegal të tij, në vitet `70-a, botoi numrin e parë të gazetës ilegale, "Zëri i Kosovës", për ta vazhduar botimin e saj, Jusuf Gervalla, me shokë, në vitet `80-a, në Shtutgart të Gjermanisë. Kur puçistët e LPK-së e përvetësuan atë, duke e konvertuar nga një gazetë kushtrimtare e lirisë, në përçarëse të shqiptarëve, Kadri Mani, zemër thyer. për fatin e mjerë të krijesës së tij, do të denonconte e protestonte, me akuzën faktike "Fletushka paçavure përçarëse anti-kombëtare "Zëri i Kosovës". Kadriu do t`u përgjigjej llumhanës përçarëse të LPK-së, duke botuar revistën "Shqipëria Etnike".

Image
Pamje e pjesshme nga salla përkujtimore

Kadri Osmani i takon plejadës së atdhetarëve të Kosovës

Në mjediset e Universitetit të Prishtinës, u organizua Akademi Përkujtimore për Kadri (Os)Manin. Në krye të organizimit ishte nënkryetari i komunës të Artanës Bajrush Imeri, nga ishte lindak edhe baca Kadri. Përveç familjes së gjerë Osmani-Mani, pjesëmarrës ishin edhe anëtarë të Shoqatës të Burgosurve Politikë, të prirë nga kreu i saj, Hydajet Hyseni, Binak Ulaj, me anëtarë të tjerë, miq e shokë të shumtë të Kadri Manit.

Akademinë e hapi dhe e moderoi e mbesa krenare e bacës Kadri, Rilinda Bytyqi-Hoti. Ajo i përshëndeti dhe falënderoi, në emër të familjes, të pranishmit. Pastaj vazhdoi me fjalën e rastit për gjyshin, tashmë, të amshuar, Kadri Mani.

"Të nderuar të pranishëm, i nderuar zotëri nënkryetar i Komunës së Artanës, z.Bajrush Ymeri, i nderuari kryetar i Partisë Nacional Demokratike Shqiptare, z. Pashkë Staka, të nderuar miq, familjarë, bashkëveprimtarë të punëve ilegale, e kolegë të arsimit të Kadri Osmanit. Mirë se keni ardhur në përkujtimin e 10- vjetorit të shkuarjes në amshim, të veprimtarit të shquar të lëvizjes dhe çështjes kombëtare, qëndrestarit të pathyer të burgjeve jugosllave, idealistit të paepur për Shqipërinë Etnike, të ndjerit Kadri Osmani- apo siç dëshironte ai që ta thërrisnim, Kadri Mani.

Ju ftoj që për nder të veprës dhe jetës së tij, të mbajmë një minutë heshtje.

Veprimtari Kadri Osmani i takon asaj plejade të atdhetarëve të Kosovës, i cili veprimtarinë e tij e filloi shumë herët dhe me guximin e vendosmërinë e paluhatshme, e vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij, për sendërtimin e vullnetit shekullor të popullit tonë, për liri dhe çlirim kombëtar.

Duke e kuptuar thellë robërinë dhe persekutimin e popullit shqiptar, nën ish-Jugosllavinë okupatore komuniste, ai si edhe shumë shokë të tij, në vitet e `60-ta të shekullit të kaluar, u bënë pjesë e ilegales në lëvizjen atdhetare e revolucionare të Kosovës. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, një ndihmë të pa kursyer, e pat edhe nga bashkëshortja e tij e devotshme, znj.Shukrije Bunjaku-Osmani, e cila nuk iu nda për asnjë çast përpjekjeve të tij, pa marrë parasysh se u hetua- u mor në pyetje disa herë, i qëndroi besnike idealeve të përbashkëta.

Ajo mbajti mbi shpatulla barrën e rëndë të përkujdesjes dhe edukimit të fëmijëve, në kushte shumë të rënda ekonomike. Vlen të përmendet përkrahja e vazhdueshme e vëllezërve të saj, përkrahjet ekonomike, morale si dhe çdo lloj ndihme tjetër . Me rastin e arrestimit të Kadriut, në vitin 1984, pas rënies së heronjve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, edhe shtëpia e familjes së nanlokës Shukrije, u bastis egërsisht, ku vëllëzërit e saj, Mustafa, Sylejmani dhe Rrahmani, u arrestuan, u rrahën dhe u torturuan brutalisht, me preteksin se aty ishin strehuar ilegalët, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala. Me këtë rast, Mustafa, si vllau më madh i saj, e pësoi më së keqi dhe si pasojë mori lëndime të rënda, të cilat i vuajti deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Me qartësinë, guximin dhe mendimin e tij, Kadri Mani bëhet një ndër intelektualët kryengritës popullor e revolucionar, ku nuk prajti së vepruari për të mirën e popullit dhe vendit të tij, deri në frymën e fundit, ku i mbylli sytë përgjithmonë, 10 vite ma parë.

Se në çfarë niveli të vetëdijes kombëtare kishte arritur kjo familje, tregon edhe fakti i dënimit të vëllezërve të Kadriut, Ramizit - i dënuar me 20 vite burg; Begzadit - me 12 vjet burg; vajzës së tij, Hidajetes - me 2 vite burg; nipave të tyre, Irfan Shaqirit me 7 vite burg; Agim Sylejmanit me 5 vite burg. Të dënuar ishin edhe kushëriri Shefkiu me 20 vite; Nuhiu e Musliu me nga 15 vite; bashkëfshatari Zylfi Musliu me 8 vite.

Tortura të shumta morën edhe anëtarë të tjerë të familjes. Drita Osmanit iu mohua e drejta e vijimit të studimeve, e Ibrahimi u burgos e u torturua mizorisht. Megjithatë, nuk u ndalën së vepruari për Shqipërinë Etnike.

I ndjeri Kadri Mani, ishte i dënuar me njëzet e shtatë vite burg të rëndë, prej të cilave i ka vuajtur 17 vite e gjysmë, në këto burgje: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Beograd, Pozharevc, Nishë, Dob, Maribor, Zagreb dhe Lublanë. Në disa nga këto burgje, i ndjeri Kadri, për shkak të shkeljeve të të drejtave elementare, kundërshtoi organet drejtuese të burgut, ku si pasojë u rrah dhe u keqtrajtua në shumë nga këto burgje. Shumë herë nëpër këto burgje shpallte greva urie, me qëllim të përmirësimit të kushteve, për vete dhe për shokët e tij të burgosur, e sidomos për lejimin e literaturës shqipe, e cila mungonte thuajse në të gjitha burgjet jugosllave të asaj kohe.

Vlen të përmendet greva e urisë në burgun e Pozharevcit, ku si rezultat drejtoria e burgut, lëshoi pe dhe bibliotekën e burgut e pajisi me shumë libra e literaturë në gjuhën shqipe, e cila deri atëherë kishte vetëm tituj librash në gjuhën serbe", - përmbylli fjalën e saj, Rilinda Bytyqi-Hoti.

Image
Këshilli organizativ dhe moderatorja Rilindë Bytyqi-Hoti.

Mani në kërkimet e tij ishte solomonian

jetën e veprimtarinë e Kadriut, shpalosën kujtimet e tyre bashkëveprimtarët e Kadriut.

Moderatorja Rilindë, ftoi në foltore nënkryetarin e Komunës së Artanës, z.Bajrush Ymerin, për një fjalë rasti. Si bashkëvendorë me bacën Kadri, ai evokoi takimet në zyre, kur ishte kryetar i komunës dhe jashtë saj. Krenar me veprimtarinë e përjetshme atdhetare, me qëndresën e dinjitetshme, në gjyqet politike dhe vuajtjet unike në burgjet jugosllave. Ai ka qenë dhe mbetet frymëzim, për brezat shqiptarë, për dashurinë ndaj Atdheut dhe gatishmërinë, deri në sublimitet, për ta bërë të lirë atë, - tha, ndër të tjera, zyrtari i lartë, Bajrush Imeri, i cili nuk ka munguar asnjëherë, në nderimet e organizuara për Kadri (Os)Manin.

Moderatorja fton në foltore Femi Cakollin, pastor në Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës, i cili evokoi kujtimet nga takimet dhe bisedat interesante, me qëndrestarin Kadri Manin, përfshi edhe pagëzimin e tij, rikthimin në besimin e të parëve. Pastor Femi Cakolli, e vlerësoi dhe respektoi mikun e tij, Manin. Ai, që nga njohja e deri në ceremoninë mortore, sipas Testamentit të lënë nga anëtari i devotshëm i Kishës Protestante Ungjillore, Kadri Mani, e zbatoi në plotni.

"Kam tri pjesë të kësaj fjale të shkurtër, me rastin e shënimit të 10 vjetorit të kalimit në amshueshmëri, të veprimtarit dhe figurës së Kadri Manit. E para, si e njoha bacën Man; e dyta, disa reflektime të tij, që ishin bindje dhe postulate filozofike, kulturore e shpirtërore; e treta, pak për veprimtarinë e tij letrare e shkencore.

Baci Man, ishte burrë i fortë përballë vuajtjeve e dhimbjeve, që të tjerët ia kanë shkaktuar, por me kundërshtarët dhe të ligjtë ishte i sertë. Me shumë njerëz i rreptë, por me fëmijët dhe dashamirët ishte i hareshëm, anekdotik, kurse në kërkimet e tij ishte solomonian. Kishte energji të mirë dhe ai plotësonte idenë e madhe: i vjetër në moshë, por novator në mendje. Pra, tipi i liderit me përvojë e me moshë, çmohet kudo edhe sot, por studimet e dekadës së fundit, për udhëheqjen kanë thënë: duhet shikuar për mendjen e re, e jo vetëm njeriun e ri, pasi shpesh mendja e vjetër dominon në njeriun e ri.

Më 14 qershor 2009, Kadri Mani vjen në shërbesën e të dielës të Kishës sonë dhe atë ditë zgjedhë që të besojë Krishtin dhe bëhet pjesë e komunitetit protestant. Ka qenë i rregullt, pothuajse, në çdo shërbesë të kishës.

Për ditën e pavarësisë së SHBA, më 4 korrik 2010, në Liqenin e Batllavës e kam pagëzuar, dhe ka përjetuar, sipas tij, gëzimin më të madh. Edhe unë isha i lumtur e i gëzuar për këtë mrekulli. Ishte vetëm bacë Xajë Nura, një person tjetër më i vjetër, se sa baci Man, që e kisha pagëzuar. Te "Zemra Shqiptare", në shumë prej shkrimeve të tij, do të nënshkruhej - Kadri Mani, protestant.

Kjo marrëdhënie e re e krijuar mes nesh, më ka dhënë mundësinë që të njihem me të, me familjen e tij, me shokët dhe miqtë e tij të vërtetë, por edhe me kundërshtuesit e tij.

Realisht, mund të shtrohet pyetja ose dilema se për rikthimin e tij në krishterim, në moshën 72 vjeçare, cilat mund të kenë qenë motivet dhe rrethanat e këtij hapi? Edhe sot ua dëshmoj me vërtetësinë më të lartë, se ai ishte esëll, ishte ngallmor, ishte me takt, ishte kritik, ishte i zoti i vetit, ishte me dinjitet, siç e njohin familjarët dhe miqtë e tij deri në fund. Kishte kohë që me disa veprimtarë të tjerë sikurse Anton Berisha, Dur Kelmendi, Hasan Dërmaku e baca Man, kishin themeluar "Renesanca Shpirtërore", kthimi te rrënjët.

Cilat ishin 4 motivet e kthimit të tij në krishterimin protestant, sipas tij edhe me fjalët e tij:

1. Kam pa që themeli i historisë shqiptare dhe i letërsisë sonë, është histori kishe;

2. Kam pa në perëndim se ku do të ishte Evropa, pa reformacionin protestant të Martin Luterit;

3. Nuk dua t`i lutem Zotit në një gjuhë të huaj;

4. Kur të vdesë, nuk dua që të varrosem si një arab e me simbole të huaja, por si shqiptar", - evokoi, në mes tjerash, njeriu dinjitar, miku i mirë i Kadri Manit, Femi Cakolli, Pastor i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës.

 

Image
Kryetari Rugova pret në takim ish të burgosurit politik, të prirë nga Kadri (Os)Mani

Burgu dhe torturat

Folësi i radhës ishte bashkëveprimtari i ilegales, njëherësh, bashkëvuajtësi i Kadri (0S)Manit, malësori vuthnjan, Binak Ulaj, tani, kryetar i Shoqatës të ish të Burgosurve Politikë të Kosovës. Në fjalën e tij rrëfimtare, një sintezë kronologjike, për jetën dhe veprën gjysmë-shekullore të Kadri Manit, ish i burgosuri politik Ulaj, më vonë drejtor shumëvjeçarë, në Gjimnazin "Xhevdet Doda", në Prishtinë, kujtoi tri dënimet radhazi, përkushtimin si luftëtar i përjetshëm dhe unik për Atdheun-Kosovë dhe Etnikumin kombëtar. Shkëputem vetëm disa fragmente, nga ligjërata e Binak Ulaj:

"Sot, kur shënojmë 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Kadri Manit, e kujtojmë me respekt të veçantë përkushtimin dhe sakrificën e tij, por edhe të familjes së tij, në Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare të Kosovës. Falë veprimtarisë, zgjerimit dha avancimit të vazhdueshëm të kësaj Lëvizjeje, u arrit të formohej UÇK-ja, e cila na e solli lirinë që e gëzojmë sot, me çka iu kthye dinjiteti popullit dhe Atdheut tonë.

Edhe unë kam pasur nderin që, së bashku me Kadriun, t’i përkas kësaj Lëvizje që nga njohja me të, në tetor të vitit 1968. Për t’u njohur me Kadriun më kishte këshilluar Idriz Zeqiraj, të cilin atëkohë e kisha përcjellë për në Tiranë, me qëllim që prej andej të na njoftojë, për qëndrimin e Tiranës dhe të na dërgojë literaturë të nevojshme, gjë që edhe do ta bëjë përmes vëllait të tij, Seferit dhe të axhës, Rexhepit, që punonin në mërgim.

Që nga njohja e parë do të më bëjë përshtypje qëndrimi i çiltër i Kadriut dhe besimi për të bashkëvepruar, sikur të njiheshim që prej shumë vitesh. Duke vlerësuar lart demonstratat e vitit 1968 dhe jehonën e tyre brenda dhe jashtë vendit, pa humbur kohë, do t’ i qasemi punës, do të përpilojmë, shumëzojmë e shpërndajmë traktin, me të cilin i ftonim studentët dhe popullin të ngriteshin përsëri në demonstrata e protesta. Por, për shkak të kohës së shkurtër të përgatitjes, do të zbulohemi e arrestohemi pas pak ditësh. Ishte kjo sprova e parë e qëndrimit dhe përkushtimit ndaj kauzës, të cilës kishim vendosur t’ ia kushtonim jetën. Por edhe sprova e parë ndaj qëndrimit e përkushtimit ndaj njëri- tjetrit. Asnjë fajësim i shokut, por vetëm përpjekje që të gjithë peshën e dënimit të të tjerëve, ta merrnim mbi vete.

Burgu dhe torturat, gjendja e rëndë ekonomike e familjes, masat e rrepta të përndjekjes e represionit, nuk do ta ndalin Kadriun me shokët: Xhafer Shatrin, Jashar Alinë dhe Binak Ulajn, ta vazhdojnë veprimtarinë atdhetare dhe ta shpien përpara atë, ndonëse e dinin se do t`i prisnin dënime edhe më të rënda dhe mund t`u kushtonte edhe me jetë. Këtu edhe qëndron madhështia e veprimtarëve të Lëvizjes. Falë këtij vullneti, ky grup do të njihet e lidhet edhe me veprimtarë tjerë të Lëvizjes, si me Mehmet Hajrizin, Rexhep Malën, Hydajet Hysenin, Gani Sylën, Nuhi Berishën, Jakup Krasniqin e të tjerë, gjë që do të avancojë nivelin e organizimit dhe të zgjërimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vise tjera, madje edhe në diasporë, duke marrë kështu përmasat e një organizate të mirëfilltë.

Duke vlerësuar rolin e mjeteve të informimit, grupi i emëruar "Grupi Revolucionar të Kosovës" (GRK), do ta përgatisë e nxjerrë edhe oragnin e vet të shtypit me emrin "Zëri i Kosovës", që ishte gazeta e parë ilegale pas Luftës së Dytë Botërore, (LDB). Për shkak të veprimtarisë gjithnjë e më intensive, por edhe për shkak të përcjelljes së rreptë të organeve të shtetit policor, çfarë ishte ish- Jugosllavia, në fillim të majit të vitit 1974, do të zbulohet e arrestohet vetëm një pjesë e grupit: Kadriu, Xhafer Shatri, Jashar Aliu dhe Binak Ulaj. As tani, bashkëveprimtarët tjerë nuk zbulohen.

Ky qëndrim i paepur i veprimtarëve do të mundësojë që GRK, të jetë grupi më veprimtari më jetëgjatë, duke përfshirë edhe periudhën e formimit të UÇK-së. Se ç`peshë i jipte Kadriu moszbulimit të shokëve, do ta thotë e shkruajë, disa vite më vonë: "Disa herë e kam parë vdekjen me sy dhe kam menduar edhe në vetëvrasje. Futet thika në zemër, sikur në mollën e kalbur, para se të përmendet, qoftë edhe një emër i një veprimtari."

Moderatorja e kësaj Akademie, Rilindë Bytyqi-Hoti, ftoi në foltore kolegun e hershëm të mësuesisë, të jetës ilegale, të mërgimit, Idriz Zeqiraj, i cili potencoi se vepra e jeta e Kadri Manit, mund të përkufizohet në katër kohë:

1) Kadri Mani, pishtar i arsimit;

2) Qëndrestar në tre gjykime, i dënuar me 27 vjet burg të rëndë, prej tyre 17.5 vjet të vuajtura;

3) Mërgimtar në Shqipëri dhe Zvicër;

4) Rikthimi në Kosovën e lirë.

Kadri Manin, e njoha në vitet `60-a, kur ai erdhi në Gjimnazin dhe Normalen e Pejës, nga Revista letrare "Jeta e Re", ku ai punonte, për të abonuar shkollarët e mesëm, me këtë revistë letrare. Hyri në klasë, i shoqëruar nga Prof. Dr. Sylë Dreshaj. Na solli të falat e Dr. Esad Mekulit dhe porosinë e tij, "për lexim e studim. Ai vazhdoi, duke thënë se leximi letrar, është alfa dhe omega e mësuesve. Si nxënës, keni edhe lehtësira pajtuese". Disa nga ne aprovuam menjëherë, por, abonenti i parë ishte Ibrahim Rugova.

Dy vjet më vonë Kadri Manin e takova në Shkollën 8-vjeçare "Rilindja" në Keçekollë, përkatësisht, Kolaj. Kemi ndarë dhomën dhe ushqimin. Ndonëse një 10 vjeçarë më madh në moshë, më trajtonte si vëlla dhe shok. I përkushtuar për arsimin dhe fort i pasionuar pas librit dhe shtypit.

Veprimtaria ilegale me Kadri Manin, është një kapitull në vete. E veçanta është se ishte një letër e Kadriut, me shokë, që u bë shkak i prangosjes të njëkohshme, edhe pse në dy shtete: Kadriu në Jugosllavi, ndërsa unë në Shqipëri!

Me botimin e revistës, "Shqipëria Etnike", nga Kadri Mani, lëndëzohet, qartazi dhe pa ekuivoke, djathtizmi i trashëguar familjar i tij. Fati më ka buzëqeshur, të jem kryeredaktor i kësaj reviste politike, shoqërore dhe letrare, me redaktorët, djalin e zgjuar tropojan, të zbritur në Tiranë, krijuesin e talentuar, Zeqir Lushaj dhe rapsodin Agim Gashi, me shokë, me dhimbje - deri në lot, të dytë të amshuar kësaj bote. Revista në fjalë, ishte botim i veçantë, por botohej edhe në Portalin e hershëm shqiptar "Zemra Shqiptare.net", të menaxhuar nga mjeshtri i letrave, atdhetar i devotshëm, zadrimori lezhjan, Shqipëri, Gëzim Marku.

Politika redaktuese, dinjitoze e profesionale, me tematikë, thellësisht, atdhetare, të Portalit "Zemra Shqiptare.net", me qendër në Londër, që mbulon gjithë Etnikumin shqiptar dhe Diasporën shqiptare, bëri emër të mirë. Lexuesit e bollshëm e motivuan edhe më shumë vullnetin botues të bacës Kadri. Nderimi që botuesi -par exelance- , Gëzim Marku, i bënte Kadri Manit, qoftë në gjallje, qoftë edhe pas shuarjes fizike të tij, është proverbial, që dinë ta bëjë vetëm intelektuali për intelektualin, fisniku për fisnikun.

Kadri Mani kishte guximin intelektual, si rrallë kush. Kurrë dhe asnjëherë nuk e joshi lakmia materiale dhe aq më pak ndjenja e karrierizmit. Fat jetësor e pati martesën me nusen Shukrije Bunjaku-Osmani, e cila, me përkujdesjen të pashoqe, për rritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve: Hidajetës, Rabitit dhe Ylberit, ia lehtësoi dhe mundësoi bashkëshortit Kadri, t`i përkushtohet, tërësisht dhe jetësisht, çështjes kombëtare. Si bashkëshorte dhe nënë ideale, asnjëherë nuk është dëgjuar të ankohet, për mungesën e babait të fëmijëve në shtëpi, duke akceptuar dhe arsyetuar objektivisht burgun, sa të gjatë, aq edhe të rëndë, duke dëshmuar atë thënien lapidare se "gruaja është shtylla e shtëpisë!"

Disa "komandantë", me uniformën e UÇK-së, të instruktuar enkas, nga UDB-a e Serbisë dhe SHISH-i enverist i Shqipërisë, vrisnin shqiptarët, kryesisht, ushtarakët luftbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, veprimtarët e LDK-së dhe kuadrot e hershëm të LPK-së, thjeshtë, për motive politike, për pushtet e para.

Këto krime të ngeshme, paraprakisht, të amnistuara, ishin zhgënjyese, dëshpëruese madje tmerruese, për Kadri Manin. Rrjedhimisht, Baca ynë zemërak e luftarak, sa i përkushtuar, aq edhe i përvuajtur, për ta bërë Atdheun të lirë, iku kësaj bote, me pengun e madh të pasigurisë, iku me buzëqeshjen e ngrirë, sepse kriminelët bredhin të lirë.

Përkujtimi adhurues, për jetën dhe veprën e Kadri Manit, do të rrojë ndër breza", - potencoi, ndër të tjera, kolegu i Kadriut në arsim, në jetën ilegale dhe në atë të mërgimit, përkatësisht, botues dhe kryeredaktor të revistës "Shqipëria Etnike", Idriz Zeqiraj.

Ish-drejtori i Shkollës fillore "Rilindja", në Keqekollë, Xhelil Rama, fort i emocionuar, thotë se "e ndjej mungesën e Kadriut. E kisha mik të sinqertë, arsimtar të dalluar, shok të përjetshëm. Kur ai u lirua nga burgu i gjatë, unë u burgosa si kuadër i FARK-ut të Ibrahim Rugovës. Megjithatë, së bashku me Kadriun, gëzuam pak vite lirie në Prishtinë". Dhe, vazhdon shpalosjen e kujtimeve:

"Edhe pse kanë kaluar 60 vite, nga njohja me Kadri Osmanin dhe shumëçka është harruar, megjithatë, po provoj të rikujtoj diçka për kolegun tim të veçantë, Kadri Osmanin-Manin. Fillimisht ka punuar mësues në fshatin Kolaj, në paralelen e shkollës amë, "Rilindja" të Keqekollës. Pastaj ka vazhduar punën si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në qendër, në shkollën amë në Keqekollë, në periudhën e viteve 1964-1968. Angazhimi dhe kontributi i tij në profesion, ka qenë shumë meritorë dhe me përkushtim shpirtëror e patriotik. Profesionin e ka respektuar me seriozitet, jo vetëm si profesion, por edhe si mision në lëmin e arsimit dhe të kulturës.

Me iniciativën e Kadriut, shkollën amë në trevën e Gollakut, e kemi emërtuar Shkolla fillore "Rilindja", Keqekollë. Kjo shkollë amë ka pasur në gjiun e saj 10 paralele në fshatrat përreth: Prapashticë, Dabishevc, Hajkobillë, Gllogovicë, Balaj, Nishevc, Ballaban, Kolaj dhe Kurtaj, me gjithsej rreth 3.000 nxënës dhe 120 arsimtarë dhe personel të shkollës. Ndërkohë, me iniciativën e Kadriut e kemi botuar revistën e shkollës me emrin "Ylli i dritës", redaktor i së cilës ka qenë Kadriu. Shkolla ka pasur në program edhe aktivitete të lira: Grupin letrarë me emrin "Migjeni" edhe grupin e dramës, të cilat i ka udhëhequr Kadriu.

Kadriu ka qenë shumë i afërt me nxënës dhe i çmuar edhe nga prindërit e tyre. Gjithashtu Kadriu ka pasur autoritet dhe marrëdhënie të shkëlqyera, me rrethin shkollor, por edhe me mjediset tjera shoqërore të rajonit. Kadriu ka qenë i dashur edhe për gjeneratat e reja - kalamajtë, me të cilët ka komunikuar dhe ju ka kënduar vargje të vjershave, duke i mësuar që edhe ata të recitojnë, si për shembull: "Jam i vogël kurgja s`di, veç dy fjalë për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi". Kudo që i ka takuar fëmijtë dhe brezin e ri, ju ka mësuar këso vjershash.

Kadriu ka qenë shumë real dhe i sinqertë, por edhe agresiv dhe intolerant, ndaj ngjarjeve dhe dukurive negative, për çka ka reaguar jo vetëm gojarisht, por edhe me shkrime në revista dhe në shtypin e kohës. Kishte shpirt të pastër të intelektualit të lartë dhe patriotit të përbetuar. Ishte një burrë trim, modest dhe i mençur. I jemi mirënjohës dhe gjithmonë do ta kujtojmë me admirim e respekt", - tha, veç tjerash, kolegu dhe drejtori i shkollës, Xhelil Rama.

Pushteti pushtues ua kishte lëshuar policët e uniformuar, spiunët pa uniforma

Folësi i radhës, Fazli Maloku, koleg i Kadriut në arsim dhe bashkëpunëtor në veprimtarinë ilegale, më vonë ushtar i radhëve të para të UÇK-së, filloi kujtimet e tij, "si e njoha Kadri Manin":

Në mesin e viteve `60-a, isha pranuar në detyrën e mësuesit, në shkollën 8-vjeçare të fshatit Kolaj. Përveç dëshirës së madhe që ta kryej këtë detyrë të shenjtë, ndjeja se isha i papërgatitur në shumë drejtime. Për fatin e mirë, aty gjeta shokë të çmuar: Kadri Manin, Idriz Zeqiraj, Xhelil Rama - drejtor shkolle e të tjerë. Kadriu, duke hetuar zbrazësitë e mia, filloi të punojë me mua, si mësuesi i mirë me nxënësin. Fillimisht, më ofroi ta lexoj romanin e ndaluar "Gjarpijt e Gjakut", të Adem Demaçit, i botuar në dy numra të Revistës letrare "Jeta e Re". Idrizi, kishte sjellur nga shtëpia libra e romane, me dhjetëra sosh, dhe i kishte vendosur në dhomën ku banonim.

Kadriu, me pedantërinë e tij, me veshjen elegante, me afërsinë vëllazërore, të përvetësonte me të parën. Ishte një pedagog i shkëlqyer. Kadriu dhe Idrizi, në disa raste, ua blinin nxënësve skamnorë veshjen, që nga opingat e deri në kapele, vetëm të mos e ndërprenin mësimin. Por, veprimtaria e Kadriut nuk mbaronte me përfundimin e orarit mësimor. Kadriu, lëvizte lagje me lagje, fshat më fshat, në Malësinë e Gallapit të Prishtinës, për tu njohur më për se afërmi me hallet e shumta të fshatarëve skamnorë.

Pushteti pushtues ua kishte lëshuar mbi supe policët e uniformuar, spiunët pa uniforma, administratorët e zyrave civile, tagrambledhësit, e deri tek rojet e pyjeve. Muaj maj 1983. Kadri Mani erdhi nga burgu i dytë nëntëvjeçar. E martë, ditë tregu në Prishtinë. Rastisi që në "Tregun e Gjelbërt" të takoj Kadriun, ashtu siç e kisha dëshiruar.

Pyetja ime e parë për Kadriun ishte: - Shoku Kadri, do ta pushosh pakëz këtë shpirtin tënd, gjersa ta marrësh vetën apo do të veprosh? Përgjigja si zakonisht ishte e prerë. -"Nuk kemi kohë për pushime, duhet vepruar". Pastaj më pyeti: - A ka ende shqiptarë që kanë vullnetin dhe guximin të veprojnë"?

Përgjigja ime ishte: -Po, do të gjejmë, njëri nga ata është ky që po bisedon me ty. Kadriut i shkëlqyen sytë nga gëzimi. U morëm vesh për takimet e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat