Policia jep detaje rreth vërshimeve: Kemi shtuar patrullimet, në veri u vërshuan disa shtëpi

Kosova

Policia jep detaje rreth vërshimeve: Kemi shtuar patrullimet, në veri u vërshuan disa shtëpi

Më: 20 janar 2023 Në ora: 09:49
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë lidhur me situatën që është krijuar dje në Kosovë, si pasojë e vërshimeve.

Në komunikatën e tyre thuhet se në zonat ku ka pasur vërshime dhe shembje të dheut, Policia e Kosovës ka shtuar patrullimet dhe se kanë verifikuar situatën, duke u angazhuar së bashku me AME-në, Zjarrfikësit e Njësitet Emergjente komunale.

Ata tutje kanë thënë se janë duke koordinuar veprimet për reagime në ato zona ku ka nevojë.

Policia gjithashtu ka njoftuar se janë duke u angazhuar edhe në shtimin e masave të sigurisë në trafik dhe riorientim të qarkullimit në ato rrugë që janë bllokuar ose kanë vështirësi në qarkullim.

“Në pjesën veriore të vendit, disa nga pjesët ku ka vërshime më shumë nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, magjistralja Mitrovicë-Bërnjak ka shembje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubq, hyrja për në fshatin Varage ka shembje dheu, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut. Në rrugët ku ka rrëshqitje dheu janë angazhuar edhe kompani për pastrimin dhe largimin e pengesave nga rruga”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ndër të tjera, thuhet se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, kishte nivel të shtuar të ujit në dy rrugë të Gjakovës, në Ujmir të Klinës, në rajonin e Podujevës, në Istog dhe në rajonin e Mitrovicës Jugu, Skenderaj.

Policia mbetet e përkushtuar që tu dalë në ndihmë qytetarëve pa dallim dhe njëkohësisht fton qytetarët që të jenë vigjilent dhe të lajmërojnë të gjitha rastet ku ka situata”, përfundon komunikata e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat