Komunat kërkojnë pezullimin e vendimit të vitit 2022 për ri-vlerësimin e pronave

Kosova

Komunat kërkojnë pezullimin e vendimit të vitit 2022 për ri-vlerësimin e pronave

Më: 28 janar 2023 Në ora: 15:06
Foto ilustrim

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) sot kërkoi nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës (MFTP) që vendimi për ri-vlerësimin e pronave të pezullohet dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023 ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022.

Asociacioni i Komunave të Kosovës potencoi se bordi i tij nuk është pro rritjes së tatimit në pronë.

“Komunat nuk kanë pasë rol në ri-vlerësimin e pronave e as në ngritjen e faturave për tatimin në pronë për qytetarët e Republikës së Kosovës.”, u bë e ditur në njoftim.

Siç u theksua, arsyet që shtyjnë Bordin e AKK-së për ta shtruar kërkesën për pezullimin e vendimit për ri-vlerësimin e pronave dhe përse janë kundër çdo ngritje të vlerës së tatimit në pronë janë të shumta si në vijim:

1. Rrethana të vështira ekonomike për qytetarin e Republikës së Kosovës,

2. Shkalla e inflacionit është dy-shifrore,

3. Shtrenjtime të çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera,

4. Niveli i pagave i pandryshuar për vite të tëra,

5. Ndikim i drejpërdrejtë në rëndimin/varfërimin e shportës për qyetarin,

6. Ri-vlerësimi i pronave nga MFTP ka ndikuar që faturat e tatimit në pronë të kenë një kosto shumë të lartë,

7. Rritja e lartë e faturës për tatim në pronë në rrethana të rënduara ekonomike do e vështirësojë inkasimin e të hyrave nga tatimi në pronë.

Bordi poashtu kërkoi që të ketë takime dhe konsulta të mirëfillta me komunat në mënyrë që të gjenden mënyrat më të mira për një ri-vlerësim të ri të pronës.

“Bordi i AKK bën me dije që Komunat e Republikës së Kosovës nuk mund të falin tatimin në pronë sepse kjo nuk është kompetencë e komunave, në të kundërtën kërkojmë nga MFTP të krijojë infrastrukturë ligjore ku do u'a mundësojë komunave faljen e tatimit në pronë bazuar në vendime të Kuvendit të Komunës.”, u bë e ditur tutje në njoftimin e AKK-së.

Bordi i AKK-së kërkon që sa më shpejtë të procedohet Projekt-Ligji i ri për tatimin në pronë për miratim në Qeveri të Republikës së Kosovës dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, më 27 janar i ka propozuar Komisionit për Buxhet që të falen 100 eurot e para për secilin tatimpagues të pronës. Ky propozim i Ministrisë së Financave, ai ka thënë se bëhet për shkak të gjendjes së rëndë financiare te shumë qytetarë dhe inflacionit të lartë.

Për shtrenjtimin e tatimit në pronë, ditëve të fundit ka pasur kritika nga deputetë të opozitës dhe qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat