Njëmbëdhjetë vjet nga tragjedia e Restelicës, ja ku ndodhet e mbijetuara e vetme Amsera Reka

Kosova

Njëmbëdhjetë vjet nga tragjedia e Restelicës, ja ku ndodhet e mbijetuara e vetme Amsera Reka

Më: 12 shkurt 2023 Në ora: 21:37
Foto nga vendngjarja

Njëmbëdhjetë vjet më parë, pas një orteku që kishte rënë në Restelicë të Dragashit, patën humbur jetën 10 anëtarë të familjes Reka.

Kësaj tragjedie i shpëtoi vetëm një fëmijë, që ishte nxjerrë nga Ushtria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Megjithatë, frika dhe kujtimet janë të freskëta për banorët që jetojnë sot aty.

Shtatë shtëpi nuk duken më fare në lagjen e Rekajve në Restelicë. As banorët tjerë nuk u kthyen më të jetojnë këtu, ndonëse disa shtëpi të tjera u rindërtuan dhe u morën disa masa për të parandaluar  rrëshqitjen e borës në këtë pjesë të fshatit.

''Shtëpia e viktimave të familjes Reka ndodhet këtu. Ndërsa, në përgjithësi, kjo familje ka migruar jashtë vendit. Po ashtu, edhe e mbijetuara e asaj kohe, 5 vjeçarja, Amsera, me gjyshin e saj, ndodhet ne Itali. Presidentja e asaj kohe Jahjaga , pati kompensuar familjen me 10 mijë euro, por diçka me shumë nuk kanë bërë, aq sa e di unë.

Sa i përket frikës, mund të themi që janë marrë disa masa, siç e potencova edhe më herët, mbjellja e fidaneve nga Komuna në atë kohë, dhe projekti i JICA-s për vendosjen e shtyllave të drurit, japin shpresë dhe siguri për parandalimi e ortekut të borës'', tha Ramadan Hoxha, banor i Restelicës.

Në emërtimin e banorëve më të vjetër, ai vend ku ndodhi tragjedia e 11 shkurtit të vitit 2012, quhej “Pllatishta”.

“Vendi ku ka ndodh orteku quhet "Pllatishta" që në gorançe i bjen “Rrëshqitje orteku” , një herë në 100 vjet ndodh, por shumë vështirë është në Restelicë me jetua. Gjashtë muaj nuk dalin kafshët jashtë. Dimër , borë shumë , ftoftë , po çka të bësh , aty kemi lindur”, tha Gafurri, banor i Restelicës.

Fshati, pozitën gjeografike e ka të vështirë e moti mund të befasojë brenda ditës, por, për fat, këtë vit jemi më të qetë se nuk kishte shumë të reshura të borës, thonë banorët.

''Marrë parasysh që vendi ynë, Restelica, është vend malor, rreziqet ekzistojnë, mirëpo, falë disa organizatave vendore e ndërkombëtare, kanë krijuar njëfarë sigurie për banorët përmes pengesave kundër rrëshqitjes së borës. Të reshurat e borës sivjet janë të pakta. Nuk është ajo borë e vitit 2012, mirëpo gjithçka mund të ndryshojë brenda orës. Nuk i dihet. Ne jemi vend malor, ortekët mund të na befasojnë, por çfarë të bëjmë, Zoti ka vendosur që të jetojmë këtu. Çfarëdo ndihme për fshatin nga kushdo, është e mirëseardhur ", tha Nesim Hoxha, banor i Restelicës.

Banorët vazhdojnë të jetojnë me frikë dhe kujtimet e tragjedisë së vitit 2012, kur nga orteku vdiqën 10 anëtarë të një familjeje, e vetmja e mbijetuar ishte një fëmijë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat