Michael Wood merr titullin “Doctoris Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës

Kosova

Michael Wood merr titullin “Doctoris Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 18:29
Michael Wood

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka dekoruar Sir Michael Wood me titullin “Doctoris Honoris Causa”. Wood i kishte kishte udhëhequr ekipin ligjor të Kosovës para GjND-së në vitin 2010.

Në një ceremoni solemne, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës, i është dhënë titulli “Doktor Nderi”, shkëlqesisë së tij, Sir Michael Wood, hulumtues i lartë, avokat i mbretit dhe ish-anëtar i Komisionit për të Drejtën Ndërkombëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo ceremoni u organizua një ditë pas përvjetorit të 53-të të UP-së dhe në vigjilje të shënimit të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Rektori Qerimi, i cili edhe e dhuroi këtë diplomë nderi, tha që Sir Michael Wood është figurë udhëheqëse në të drejtën ndërkombëtare. Rektori shtoi se Wood na ka treguar se ndryshimi vjen përmes pasionit, studimit dhe angazhimit dhe në fund, përmes një gjykate. 

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se e pranishme në këtë ceremoni të ndarjes së titullit të nderit për Sir Michael Wood ishte edhe presidentja, shkëlqesia e saj, znj. Vjosa Osmani. Ajo solli në mendje përfaqësimin dinjitoz të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rikthimin e Wood në Kosovë, si personalitet nderi. 

E shpërblimin me titullin e nderit nga UP-ja, laureati Sir Michael Wood e konsideroi si privilegj të veçantë. Ai me të pranishmit ndau përvojën në përfshirjen e tij në momente historike për popullin e Kosovës, si dhe për kontributin e UP-së në zhvillim të shtetit. 

"Ishte privilegj i madh të paraqitesha para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në emër të Kosovës dhe jam mirënjohës që Kosova më ka ftuar serish dhe sot jam i nderuar ta pranoj këtë çmim të lartë nga Universiteti i Prishtinës”, tha Wood.

Ai tregoi për përvojën e tij në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për rastin e Kosovës gjatë viteve 2008-2010 dhe për ekipin që e ka shoqëruar atëherë nga Kosova, në mesin e të cilëve ishin edhe rektori, prof. dr. Qerimi dhe presidentja Osmani, të dy në funksione të tjera atëbotë. 

Ndër të tjerash, Wood shtoi se UP-ja ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm Kosovën, sidomos në lidhje me pavarësinë e saj. 

Në cilësinë e laudatorit, të pranishmëve iu drejtua prof. dr. Avni Puka, dekan i Fakultetit Juridik. Ai shpalosi karrierën profesionale të laureatit, kontributet shkencore dhe rezultatet e jashtëzakonshme të Wood në sferën e drejtësisë ndërkombëtare. Puka theksoi se “Sir Michael Wood ka një vend të veçantë në historinë e Republikës se Kosovës, prandaj UP-ja dhe populli kosovar e nderon kontributin e tij dhe respekton përherë veprën e tij".

Senati i UP-së ia dha titullin Doctor Honoris Causa Sir Michael Wood me motivacion: Për kontributin e dhënë për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe për avancimin e paqes dhe drejtësisë përmes së drejtës ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat