Sheshet e kryeqytetit plot, qytetarët tregojnë emocionet në 15-vjetorin e pavarësisë

Kosova

Sheshet e kryeqytetit plot, qytetarët tregojnë emocionet në 15-vjetorin e pavarësisë

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 20:15
Sheshi i kryeqytetit

Sheshet e Prishtinës, sot kanë qenë plot. Të rinj e të vjetër, nga treva të ndryshme shqiptare, sot kanë ardhur në kryeqytet për të kremtuar 15-vjetorin e pavarësisë së vendit. Ata janë shprehur të gëzuar dhe të kënaqur, por kanë theksuar se duhet punuar më shumë.

Qytetari Esat Aliu për KosovaPress, ka deklaruar se për të festuar këtë ditë, është pritur me vite të tëra. Ai është shprehur i kënaqur me zhvillimin e vendit, derisa ceremoninë e parakalimit të FSK-së e ka quajtur madhështore.

Aliu: Parada e ushtrisë është madhështore

“E festoj dhe e ndjejë me plotë zemër, kjo është festa jonë më e madhe dhe këtë ditë e kemi pritur me vite të tëra dhe sot e gëzojmë. Populli jonë është i lirë. Nuk jemi të brengosur prej serbëve që i kemi pasur mbi kokë dhe sot jemi të lirë, lëvizim të lirë, punojmë lirë, flasim lirë dhe kjo është ajo e tëra që ne sot kemi dalur ta festojmë këtë ditë madhështore për ne. E kemi pritur me vite... Mua më pëlqej parada e ushtrisë, ajo është madhështore, është lakmi, përfaqëson një shtet me plot kuptim e fjalës, ushtri e plotë, me të gjitha lamitë që i takojnë ushtrisë dhe kjo është pasqyrë jonë e një shteti që është krijuar sot dhe e gëzojmë...Shumë jemi të kënaqur, shumë kemi përparime. Kemi njerëz që kanë punuar dhe këta që janë sot në pushtet janë duke punuar edhe më shumë sesa ata që kanë qenë në të kaluarën, dhe kështu me rradhë presim ditë të mira.”, ka thënë Aliu.

Ndërsa, qytetari nga Prishtina, Idriz Fazliu është shprehur se Qeveria nuk është duke e bërë punën ashtu siç duhet. Ai ka thënë se Evropanuk të ndihmon gjithmonë dhe se duhet, “ta mbash veten”.

Fazliu: Qeveria s’po punon mirë, Evropa nuk të mbanë gjithmonë

“Sot e festuam por këta udhëheqësia nuk e kanë festuar fare. Nuk kanë dalur fare, as nuk kanë dalur kurrë. Por, me qenë këta që punojnë, mirë do ta kemi, por nëse këta punojnë keq, atëherë as për neve nuk do të jetë mirë. Ne nuk kemi shkuar në Serbi, për t’i vrarë fëmijët, për tu dhunuar gratë, dhe burrat, me javë, dhe të ua shuajmë pasurinë, por ata na e kanë bërë këtë neve. Tash, se si janë duke u “kacafytur” mes vete, nuk kam aspak vullnet, por nëse ata do të ishin bashkë, ne do kishim shkuar më lartë. Evropa të mbanë, por gjithë ajo nuk të mbanë, andaj ti duhesh ta mbashë veten”, ka potencuar Fazliu.

Një qytetar nga Presheva thënë se ka ardhur sot në Prishtinë për të festuar përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, derisa është shprehur se duhet punuar edhe më shumë, për të qenë edhe më të kënaqur.

Qytetari nga Presheva: Jemi të kënaqur, por duhet punuar edhe më shumë

“Ne kemi ardhur nga Presheva, sidomos në këtë ditë për ta festuar. E ndjejmë vetën shumë krenarë që kemi mbërri deri në këtë ditë, në çlirimin e Kosovës. Ne jemi të kënaqur, por duhet të punojmë që të jemi edhe me të kënaqur. Gjithmonë prioritet është “punë punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë”, puna mbi të gjitha është dhe dashuria ndaj këtij shteti”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, atmosferën e kësaj dite, qytetarët e kanë shprehur edhe me këngë e valle. 

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku kanë marrë pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri ka shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat