Lansohet fushata vetëdijësuese për cilësinë e ajrit në Kosovë

Kosova

Lansohet fushata vetëdijësuese për cilësinë e ajrit në Kosovë

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 10:31
Foto ilustrim

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), njofton se ka nisur një fushatë që synon rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë dhe palëve të tjera të interesit në lidhje me cilësinë e ajrit në Kosovë.

Fushata është pjesë e projektit, “Ngritja e kapaciteteve mbi përdorimin e të dhënave mjedisore në Kosovë”, që zbatohet në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA), me mbështetje nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtarë (SIDA).

“Në kuadër të kësaj fushate, do të ofrohen informata, udhëzime dhe materiale tjera vetëdijësuese që kanë për qëllim që t’i mundësojnë publikut që të kuptojë rëndësinë e të dhënave për cilësinë e ajrit, të lehtësojë leximin dhe kuptimin e këtyre të dhënave si dhe të vetëdijësojë publikun për ndërmarrjen e veprimeve të mundshme për reduktimin e ndotjes së ajrit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. 

Me këtë rast, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), inkurajon publikun që të shkarkojë dhe përdorë aplikacionin për cilësinë e ajrit në Kosovë nga, Rrjeti shtetëror i monitorimit të cilësisë së ajrit - Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (ihmk-rks.net) dhe portali https://airqualitykosova.rks-gov.net.

Aplikacioni është një mjet i rëndësishëm për informimin lidhur me cilësinë e ajrit në Kosovë, për të rritur transparencën dhe për të ndërtuar besimin e publikun në cilësinë e këtyre të dhënave.

Duke përdorur aplikacionin, qytetarët mund të kenë lehtësisht informacion të përditësuar mbi cilësinë e ajrit në zonën e tyre, duke i lejuar ata të marrin vendime të bazuar në informata për mbrojtjen e shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Më tej në njoftim thuhet se rezultatet e pritshme të fushatës janë rritja e ndërgjegjësimit të popullatës për ndikimet negative të ndotjes së ajrit dhe ndërgjegjësimi i politikëbërësve për përfitimet nga investimet përmes strategjive, planeve dhe projekteve për reduktimin e ndotjes së ajrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat