Pacientja 41-vjeçare vdes pas intervenimit gjinekologjik në ordinancën private, intervistohen dy mjekë

Kosova

Pacientja 41-vjeçare vdes pas intervenimit gjinekologjik në ordinancën private, intervistohen dy mjekë

Më: 26 shkurt 2023 Në ora: 11:08
Foto ilustrim

Në ordinancën private “Aorta” në Ferizaj mesditën e djeshme ka humbur jetën një grua, e moshës 41-vjeçare, e cila për shkaqe akoma të panjohura ka vdekur pasi iu nënshtrua një intervenimi gjinekologjik. Viktimës iu ishte përkeqësuar gjendja dhe menjëherë është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt, por fatkeqësisht veçse kishte ndërruar jetë.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se lidhur me rastin tashmë janë intervistuar dy mjekë të kësaj ordinance, të cilët kanë dhënë deklarata në cilësinë e personave të dyshuar, njëri prej të cilëve e kishte kontrolluar të ndjerën.

Sipas informacioneve të para që janë mbledhur deri më tash, e ndjera kishte pasur termin në këtë klinikë, ku iu është nënshtruar një intervenimi, pas të cilit gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar.

Bazuar në dëshminë e mjekut që e ka kontrolluar viktimën, e ndjera  për një moment ka pasur një shtrëngim në gjoks dhe më pas i kanë dhënë ndihma e parë në ordinancë. Nga aty, ajo është transportuar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal, por veçse kishte vdekur.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni Policia dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion, që të zbulohet shkaktari i vdekjes së saj.

Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, teksa veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren posa të zbardhen rrethanat në të cilat ka vdekur e ndjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat