MASHT mbështet me 3.5 milionë euro zbatimin e praktikës profesionale

Kosova

MASHT mbështet me 3.5 milionë euro zbatimin e praktikës profesionale

Më: 2 mars 2023 Në ora: 09:41
Foto ilustrim

Në arsimin parauniversitar shkollimi profesional paraqet sektorin me më shumë investime.

Ministria e Arsimit, në një përgjigje për mediumin publik, ka bërë të ditur se ka vite që kjo ministri ndan grand specifik për komuna, për zbatimin e praktikës profesionale të nxënësve në vlerë prej 3.5 milionë euro në vit.

Ndërkohë, njohësit e fushës së arsimit thonë se është e domosdoshme të rishikohen profilet, që aktualisht ofrohen nga shkollat profesionale.

Arsimi parauniversitar në Kosovë, i cili është nën menaxhimin e komunave përfshirë buxhetin, mbështetet sipas mundësive edhe nga Ministria e Arsimit. Po ashtu, arsimi dhe aftësimi profesional, mbështetet në vazhdimësi nga donatorë e partnerë zhvillimorë në shumë drejtime, që ndikon në krijimin e kushteve dhe modernizim.

Këshilltarja për media në Ministrinë e Arsimit, Edona Kutleshi-Maliqaj, tha për Radio Kosovën se përveç gjashtë qendrave të kompetencës që menaxhohen nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, Ministria e mbështet edhe Arsimin e Aftësimin Profesional me mjete dhe pajisje teknologjike çdo vit, me qëllim të ngritjes së cilësisë në këtë fushë arsimore.

“MASHTI, përkatësisht Qeveria e Kosovës, ka vite që ndan grant specifik për komuna për zbatimin e praktikës profesionale të nxënësve në vlerë prej 3.5 milionë euro në vit. Departamenti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Ministrinë e Arsimit, deri tani nga buxheti i vjetor, me rreth 300 mijë euro i mbështet Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional me pajisje si dhe bursa për nxënësit e Arsimit dhe Aftësimit Profesional. Këtë vit kemi rritje të buxhetit dhe do të vazhdojë mbështetja me theks në arsimin dual”, tha Kutleshi-Maliqaj.

Ndërkohë, Rinor Qehaja, njohës i fushës së arsimit tha për Radio Kosovën se në arsimin parauniversitar shkollimi profesional paraqet sektorin me më shumë investime, si në infrastrukturë e zhvillim profesional, investime që vijnë edhe nga donatorët.

 “Ajo që është e rëndësishme, është që këto investime të kthehen në përfitim për nxënësit. Ai përfitim është punësimi i tyre menjëherë pas diplomimit nga shkollimi profesional. Kjo arrihet përmes profileve të përditësuara. Pra, e kemi të domosdoshme që të rishikojmë profile që aktualisht ofrohen nga shkollat profesionale. Ajo që dëshmohet është që në ato shkolla profesionale ka profile për të cilat ka nevojë tregu i punës, edhe punësimi i të rinjve është evident dhe jo e kundërta. Politikat më të qëndrueshme dhe super të shpejta nga ana e qeverisë që do të ofronin zgjidhje për këtë, janë me shumë prioritet”, tha Qehaja.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, vitin e kaluar ka aprovuar 6 kurrikula në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe ka nisur pilotimi i tyre. Tashmë një numër nxënësish vijojnë mësimet në këto profile, ndërsa në bazë të trendëve globalë, pritet një interesim i shtuar në të ardhmen e afërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat