Jepet fjala hyrëse në rigjykimin për vrasjen e ndodhur 22 vite më parë në Prishtinë

Kosova

Jepet fjala hyrëse në rigjykimin për vrasjen e ndodhur 22 vite më parë në Prishtinë

Më: 9 mars 2023 Në ora: 12:50
Foto ilustrim

Prishtinë-Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten është dhënë fjala hyrëse në rastin ku Fahri Kajtazi, Labeat Kastrati dhe Hamdi Marviqi po akuzohen për vrasjen e ndodhur në Prishtinë në 2001, ku kishte mbetur i vdekur A.M.

Fillimisht, prokurori Armend Hamiti në fjalën e tij hyrëse tha se, gjatë këtij rigjykimi, pas shqyrtimit të të gjitha provave të paraqitura në këtë aktakuzë, siç janë dëshmia e dëshmitarëve, ekspertiza e Institutit të Forenzikës në atë kohë tani Instituti i Mjekësisë Ligjore, foto dokumentacioni i vendit dhe raporti i vendit të ngjarjes dhe ekspertiza e balistikes do të vërtetohet përtej dyshimit të mirë të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të cilat ju vihen në barrë dhe me këtë do të përmbyllet kjo lëndë e cila ka filluar tani më pothuajse 22 vite më parë.

Fjala hyrëse e prokurorit Hamiti u mbështet nga mbrojtësi i viktimave, Visar Ahmetxhekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuari Kajtazi, avokati Driton Musliu deklaroi se mbetën pranë qëndrimeve dhe deklaratave të paraqitura më herët, ashtu që konsiderojnë se me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, dëshmitë e dëshmitarëve edhe provave materiale do të provohet gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor se në asnjë mënyrë nuk konsumohen elementet e veprës penale të vrasjes në tentativë.

Sipas Musliut, kualifikimi juridik i veprës penale nuk përputhet në asnjë mënyrë me veprimet e të mbrojturit të tij, duke pas parasysh që në ditën kritike sipas saj, i pandehuri Kajtazi ka shtënë në ajër për të zmbrapsur një sulm dhe pikërisht aty shihet që mungon elementi esencial i dashjes që është elementi kryesor i kësaj vepre.

Pas tij, mbrojtësi i të akuzuarit Kastrati, avokati Ahmet Tahiri, tha se në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet që i mbrojturi i tij në rastin konkret ka vepruar në kuadër të mbrojtjes së nevojshme.

Sipas tij, kjo të vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve, punëtor të sigurimit në “Inter Club”.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Hamdi Mavriqi, avokati sipas detyrës zyrtare Ragip Zeneli, deklaroi se mbetën në tërësi pranë deklaratave të dhëna nga ish kolegia tani e ndjera N.K lidhur me të akuzuarin Mavriqi në bazë të së cilave ka theksuar se gjatë seancave dhe seancës kryesore nuk është vërtetuar se i akuzuari Mavriqi ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Zeneli shtoi se, lidhur me të akuzuarin Mavriqi nuk ekziston bazë e mirë e cila vërteton kryerjen e veprës penale.

Në fund, i propozoj gjykatës që lidhur me të pandehuri Mavriqi të hudhet aktakuza dhe i pandehuri të lirohet nga akuza e kësaj vepre penale.

Fjalët hyrëse të dhëna nga avokatet e lartcekur u mbështetën nga të akuzuarit.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty, ndërsa e radhës u caktua më 5 prill 2023.

Për seancën e radhës, i dëmtuari Muharrem Murtezi dhe dëshmitaret Agim Spansa, Besim Mehmeti, Gzim Humolli, Bari Nika, Nuredin Makovci, Skender Berisha, Mustaf Kurmehaj dhe Premtim Alaj do të ftohen me ftesa të rregullta.Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtor, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Caka me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Ndërsa, të akuzuari Mavriqi e Kastrati me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të  Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza.

Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, ku kishte kërkuar që aktgjykimi që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ai i mbrojtësve të tij të refuzohet si i pabazuar dhe në këtë pjesë aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002 të vërtetohet.

Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të datës 1 dhjetor 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, i akuzuari Fahri Kajtazi, më 17 dhjetor 2001, rreth orës 02,30-03,20, në “Inter Klub” në Prishtinë, pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve nga ana e tij drejtuar Labeat Kastratit dhe Hamdi Mavriqit, kur këta për t’iu shmangur zënkave dhe kërcënimeve të tij, vendosin të dalin nga klubi dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre, por para tyre ka dalë i akuzuari Fahri me shokët e tij A.M dhe Milaim Cakajn, i cili prapë vazhdon me sharje dhe kërcënime se do t’i vras.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Milaim Cakajt nga brezi ia merr revolen e markës “Crvena Zastava” dhe me të nga shkallët e Pallatit të Rinisë, nga një distancë e pavërtetuar shtie tri- katër herë në drejtim të tyre me qëllim që t’i privojë nga jeta, por nuk e godet asnjërin.

Në këtë mënyrë, akuzohet se ka kryer dy vrasje në tentativë nga neni 30 al.1 të Ligji Penal i Kosovës (LPK) lidhur me nenin 19 të Ligjit Penal të  Jugosllavisë (LPJ), i aplikuar sipas rregullores se UNMIK-ut, e të ndëshkueshme sipas dispozitës të nenit 30 al.3 të LPK.

Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Milaim Cakaj, më 17 dhjetor 2001 në ” Inter Klub” në Prishtinë, e ka poseduar pa leje armën-revolen e markës “Crvena Zastava”,

Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë i pandehuri Cakaj ka kryer veprën penale nga neni 8.2. e ndëshkueshme sipas nenit 8.6. të rregullores se UNMIK-ut nr.2001/7 për Autorizimin e Posedimit tè Armëve në Kosovë.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë, të akuzuarit Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, si në pikën I të dispozitivit , pasi që më parë i akuzuari Fahri Kajtazi ka filluar që me revolen, si në pikën I. të dispozitivit, të shtie në drejtim të tyre dhe këta  i nxjerrin revolet e tyre të cilat i kanë pasur me leje, Labeat Kastrati me revolen e markës “Tokarev”, kurse Hamdi Mavriqi, gjithashtu, me revolen e markës “Tokarev” dhe kanë shtënë shumë herë në drejtim të Fahri Kajtazit, me qëllim që të njëjtin, ta privojnë nga jeta.

Sipas këtij dispozitivi, duke shtënë në drejtim të tij, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spitalin e Prishtinës, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.

Në këtë mënyrë, akuzohen se në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 30 al.I të LPK lidhur me nenin 19 të LPJ i aplikuar sipas rregullores së UNMIK-ut dhe veprën penale “Vrasje” nga neni 30 all të LPK, e të ndëshkueshme sipas nenit 30 al.3. të LPK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat