Qytetarët do të përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës së banimit

Kosova

Qytetarët do të përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës së banimit

Më: 4 prill 2023 Në ora: 13:53
Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka informuar sot se ka miratuar kohë më parë planin e veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në kujdesin parësor shëndetësor.

Qëllimi i këtij plani siç ka informuar MSh, është që secili qytetar të ketë mundësinë që të përzgjedhë mjekun familjar brenda zonës së banimit dhe sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore në kohën e duhur dhe sipas kërkesës.

“Përmes përzgjedhjes së mjekut familjar do të krijohet lista e banorëve/pacientëve dhe kjo do të kontribuojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore. Rrjedhimisht, kjo do të ndikojë edhe në promovimin, edukimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Plani e thekson rëndësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar për ruajtjen dhe përcjelljen e shëndetit të qytetarëve në vazhdimësi dhe sipas MSh-së, përfitimet e qytetarëve nga ky proces.

“Fillimisht, procesi do të pilotohet në katër komuna: Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë (QMF-5- Ulpianë dhe QMF-6- Bregu i Dellit), për të vazhduar pastaj shtrirjen në tërë vendin. Ministria do të ju mbajë të informuar për hapat e mëtejmë në procesin e përzgjedhjes së mjekut familjar brenda zonës suaj të banimit dhe ecurinë e mëtejme.”, ka informuar tutje ministria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat