Nga paslufta në Kosovë janë asgjësuar mbi 95 mijë mina

Kosova

Nga paslufta në Kosovë janë asgjësuar mbi 95 mijë mina

Më: 4 prill 2023 Në ora: 22:58
Foto ilustrim

Që nga paslufta në Kosovë janë pastruar mbi 62 milionë metra katror dhe janë gjetur 95 mijë mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera. Kështu u tha sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vetëdijesimit ndaj Minave dhe aksionit ndaj tyre.

Ky aktivitet është organizuar nga Qendra Koordinuese për Deminim, organizata norvegjeze NPA (Norwegian People's Aid), HALO Trust, Policinë e Kosovës dhe KFOR-i. 

Në këtë aktivitet, drejtori i Qendrës Koordinues të Deminimit, Ahmet Sallova ka prezantuar  progresin e arritur prej vitit 1999 e deri më tani, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u ndje krenar me shifrat dhe rezultatet e deminmit.

“Falë punës se tyre janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe njëkohësisht është kthyer një numër i madh i tokave për shfrytëzim nga komunitetet, megjithatë ende nuk konsiderohemi një zonë e lirë nga minat, andaj kërkohet përkushtim”, deklaroi Mehaj, sipas të cilit, çdo minë e pastruar do të thotë një jetë e shpëtuar.

Në përmbyllje të fjalës së vet ministri Mehaj ka shprehur gatishmërinë që ka Kosova për të dhënë kontributin për Ukrainën në fushën e deminimit dhe kërkim- shpëtimit me kapacitet që ka FSK-ja. 

“Megjithatë siç e përmenda në fillim problemi i mjeteve të pashpërthyera nuk është vetëm i Kosovës, por i çdo zone pas konfliktit. Është problem njerëzor. Dhe këtu nuk mund të mos përmend Ukrainën dhe popullin ukrainas që në baza ditore përballet me minat e vendosura nga agresori rus. Ky shtet ka nevojë për ndihmën tonë dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë përkrahjen e nevojshme përmes ekipeve tona të specializuara të trajnerëve të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit”, deklaroi ai.

Njësitë e deminimit të FSK-së dhe organizatave  tjera të angazhuara në pastrimin e zonave te rrezikshme siç është NPA dhe HALO Trust, janë duke rivendosur dhe krijuar një mjedis të sigurt në fushat e tanishme të rrezikuara, duke mundësuar zhvillimin e jetës normale, thuhet në njoftimin e MM-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat