Me moton “Kundër shtetit që i vret gratë” kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit Munishi

Kosova

Me moton “Kundër shtetit që i vret gratë” kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit Munishi

Më: 5 prill 2023 Në ora: 13:22
Leonida Molliqaj

Me moton “Kundër shtetit që i vret gratë”, përmes një aksioni simbolik para Këshillit Prokurorial të Kosovës, Organizata Joqeveritare “Qika” kanë kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit, Kujtim Munishi me rastin e Sebahate Morinës, e cila u vra nga ish-bashkëshorti.

Sipas tyre, vendimi nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me rastin e thotë qartë se shteti ia mohoi Sebahatës të drejtën për jetë, duke shtuar se ajo u vra, sepse Policia e Kosovës në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtine kanë dështuar përmbushjen e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së saj.

Derisa kërkuan përgjegjësi për rastin, Leonida Molliqaj nga kjo organizatë thotë se edhe pas dy javëve nga nxjerrja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë parë ndonjë reagim të institucioneve përgjegjegjëse për vrasjen e Sebahates.

Molliqaj: Vendimi e thotë qartë se shteti ja mohoi Sebahates të drejtën për jetë, ndërkohë nuk ka asnjë dorëheqje

"Përgjatë këtyre dy javëve ne nuk e kemi dëgjuar asnjë fjalë e nuk e kemi vërejtur asnjë hap të institucioneve përgjegjëse lidhur me vendimin. Ata po sillen thuajse nuk e kanë lexuar vendimin e thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Andaj, sot e sollëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese para kryeprokurorit të shtetit. Vendimi e thotë qartë se shteti ja mohoi Sebahates të drejtën për jetë, ndërkohë nuk ka asnjë dorëheqje e lërë më shkarkim të personave përgjegjës. Por, ne nuk do ta lejojmë asnjëherë që ky vendim kaq i rëndësishëm për të drejtat e grave në Kosovë të kalojë në heshtje. Sebahtja u vra, sepse Policia e Kosovës në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtine kanë dështuar përmbushjen e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së saj. Ne kërkojmë përgjegjësi”, tha Molliqaj.

Ndërkaq, Adelina Berisha nga organizata e Rrjeti i grave theksoi se edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë duhet të bëjë shkarkimin e zyrtarëve policor të cilët nuk e adresuan dhe nuk e trajtuan rastin ashtu siç e kërkon korniza ligjore.

Berisha: Drejtoria e Përgjithshme e PK-së të bëjë shkarkimin e zyrtarëve policorë që nuk adresuan cështjen

“Vendimi i Kushtetueses duhet të zbatohet, ai është vendimi më i lartë që mund të merr një institucion në Kosovë, andaj, edhe çdo person duhet ta zbatojë këtë vendim. Kërkesa jonë është shumë e qartë, nga kryeprokurori i shtetit që menjëherë t'i zhvillojë procedurat disiplinore për shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe për të gjitha shkeljet e rastit të së ndjerës tashmë, Sebahate Morinës dhe për prokurorin i cili ishte përgjegjës specifikisht në këtë rast. Kërkojmë gjithashtu edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të bëjë shkarkimin e zyrtarëve policor të cilët nuk e adresuan dhe nuk e trajtuan rastin ashtu siç e kërkon korniza ligjore. Tashmë e kemi një të ndjerë dhe urojmë që me këtë vendim të gjitha institucionet do të jenë më të vëmendshme se si i trajtojnë rastet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave”, tha Berisha.

Mes tjerash, Berisha thotë se nuk duhet asnjë grua dhe asnjë vajzë të dekurajohet në kërkimin e të drejtave që kanë.

Berisha: Të gjitha gratë dhe vajzat mos të dekurajohen, por t’i kërkojnë të drejtat e tyre

"Fakti që sot jemi këtu, fakti që avokati i popullit e ka mbështetur kërkesën tonë, fakti që Gjykata Kushtetuese ka treguar që institucionet tona kanë dështuar, tregon se gratë nuk janë të vetme, na kanë neve dhe gjithë shoqërinë prapa që të sigurohemi që çdo institucion të jep llogari për jetët e tyre, për trajtimin e mirë dhe të duhur të rasteve që ato i njoftojnë institucionet. Nuk duhet asnjë grua, asnjë vajzë të dekurajohet, por duhet secila prej tyre sot dhe çdo ditë t’i kërkojnë të drejtat e tyre, ta raportojnë dhunën dhe të mos tolerojnë asnjë formë diskriminimi ndaj tyre”, tha Berisha.

Të pyetura për mos reagim pas vendimit të Kushtetueses nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ajo tha se presin që ditëve në vijim reaksioni i tyre ta merr vëmendjen dhe të njëjtit të reagojnë për këtë rast.

Krejt në fund, nga kjo organizatë kanë thënë se do të vazhdohet me protesta derisa të ndodh shkarkimi i kryeprokurorit, Kujtim Munishi.

Ndërkaq për këtë së fundmi reagoi edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Në një njoftim për media thuhet se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e të ndjerës Sebahate Morina, autoriteti kompetent në kuadër të institucionit të Prokurorit të Shtetit ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurorit të këtij rasti.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin e gjerë publik se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e të ndjerës Sebahate Morina, autoriteti kompetent në kuadër të institucionit të Prokurorit të Shtetit ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurorit të këtij rasti. Për epilogun e kësaj procedure opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat