Banorët e këtij fshati të Kosovës, të alarmuar nga groposja e gjedheve të sëmura, i frikësohen epidemisë

Kosova

Banorët e këtij fshati të Kosovës, të alarmuar nga groposja e gjedheve të sëmura, i frikësohen epidemisë

Më: 6 prill 2023 Në ora: 07:51
Foto ilustrim

Në vendin ku shpresonin t’iu ndërtohej spitali, rrezikon të shpërthejë sëmundja.

Tetë krerë gjedhe u groposën në këtë pronë në fshatin Kraishtë e Lipjanit, më 28 mars të 2023-ës.

Asgjësimi i tyre u bë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për shkak se kafshët rezultuan të sëmura.

Banorët të cilët thonë se gjatë fushatave zgjedhore në atë vend u ishte premtuar ndërtimi i spitalit, janë të shqetësuar se tani aty mund të shpërthejë ndonjë epidemi.

Ata ankohen se groposja e kafshëve të sëmura është bërë afër pusetave të ujit të pijshëm. Jo shumë larg këtij vendi ndodhet edhe një burim tjetër uji, të cilin banorët e konsiderojnë shërues.

AVUK, që bëri groposjen e kafshëve të sëmura, garanton vetëm për asgjësimin e tyre, ndërsa përgjegjësia për lokacionin thotë se bie mbi komunën, e cila e ndau këtë parcelë.

Përveç që nuk përfilli afërsinë e pusetave dhe mendimin e banorëve të kësaj pjese, komuna nuk mori parasysh as pronësinë e kësaj parcele.

Ndonëse në vendim thuhet se parcela është në pronësi të Kuvendit Komunal të Lipjanit, një banor pretendon se toka është e familjes së tij dhe se momentalisht për të janë në kontest gjyqësor me komunën.

Mena me bashkëfshatarët po planifikojnë të nisin një peticion, për të ndaluar groposjen e kafshëve në atë parcelë.

Kiks Kosova ka kontaktuar me Komunën e Lipjanit për të kuptuar se si dhe pse u vendos që ajo parcelë të jepet për groposjen e kafshëve, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat