Aliu del në terren pas shpërthimit të gypit në Lepenc, premton rregullim sa më të shpejtë të tij

Kosova

Aliu del në terren pas shpërthimit të gypit në Lepenc, premton rregullim sa më të shpejtë të tij

Më: 15 prill 2023 Në ora: 16:07
Librun Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Librun Aliu, ka dalë në terren për të përcjellë gjendjen pas shpërthimit të një gypi në lumin Lepenc në fshatin Biti e Poshtme të Shtërpcës.

“Pas pranimit të informacionit prej banorëve të fshatit Biti e Poshtme, Komuna e Shtërpcës, rreth shpërthimit të një gypi në lumin Lepenc nga Hidrocentrali Vinçës, sot, së bashku me Inspektoratin e ministrisë, realizuam një vizitë në vendngjarje, për të inspektuar nga afër gjendjen e krijuar, në mënyrë që të bëjmë sa më parë sanimin e këtij problemi”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Aliu tha se në momentin e inspektimit, nuk kishte rrjedhje të ujit nga gypi, ndërkaq shtoi se operatori është obliguar që në një afat sa më të shpejtë kohor të bëjë sanimin e gjendjes dhe të informojë Inspektoratin e MMPHI-së rreth rregullimit të gypit sipas të gjitha dispozitave ligjore në fuqi.

“Shërbimi në kohë dhe shërbimi transparent si lidhje direkte në mes të banorëve dhe çdo drejtuesi e punonjësi të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duhet të jetë obligim i gjithsecilit prej nesh, e të konkretizohet në shërbim e detyrë që të adresojmë shqetësimin e çdo qytetari pa asnjë dallim”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat