Hapet platforma KGenU, Kurti: Shfrytëzojeni këtë mundësi që të gjeni një vend pune

Kosova

Hapet platforma KGenU, Kurti: Shfrytëzojeni këtë mundësi që të gjeni një vend pune

Më: 24 prill 2023 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje gjithë të rinjve që të regjistrohen në platformën “Kosova Generation Unlimited” (KGU) – praktikë me pagesë.

Në tryezën me temën “Të rinjtë e komuniteteve tregojnë për impaktin e iniciativës KGU”, është theksuar mbështetja e të rinjve që kanë nga shteti.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se po mundohen që kjo nismë të arrijë edhe tek të tjerët, siç tha ai, që të kuptohet se Kosova është vend i mundësive për të rinjtë, komunitet joshumicë e për të gjithë.

Kurti ka theksuar se edhe platforma e lansuar më parë, “Superpuna” ka arritur efekt pozitiv tek gjithë të rinjtë.

Kurti: Shfrytëzojeni këtë mundësi që të gjeni një vend pune me pagë të garantuar

“Krahas kësaj nisme qeveria ka lansuar edhe platformën “Superpuna”, e cila ofron mundësi punësimi për të rinjtë e moshës prej 18 deri në 25 vjeç. Për vetëm dy muaj kemi mbi 4 mijë e 700 pozita të lira pune, mbi 6 mijë e 400 punëkërkues të verifikuar, mbi 3 mijë e 700 biznese të regjistruara e mbi 2 mijë marrëdhënie punë. Andaj, ju ftojmë që ta shfrytëzoni edhe këtë mundësi, të regjistroheni e ta gjeni një vend pune me pagë të garantuar nga shteti, nga praktika në KGenU në punësim me Supërpunën. Duhet të ju tregojmë gjithë të rinjve për këto mundësi në mënyrë që të kemi sa më shumë të regjistruar në këto dy platforma e veçanërisht në KGenU, që gjithashtu ata të bëhen pjesë e punës praktike me pagese. Shpresoj se kjo nismë të arrije edhe te të tjerët që të kuptohet se Kosova është vend i mundësive për të rinjtë, komunitet joshumicë e për të gjithë”, tha Kurti.

Se KGenU është një platformë e mirë për punësimin e të rinjve, e tha edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Murati tha se me këtë po mundohen ta ulin papunësinë tek të rinjtë. Ai theksoi se një numër i madh i të rinjve nga komuniteti joshumicë kanë shprehur interesim të regjistrohen në këtë program.

Murati: Është e një rëndësie të veçantë që të punojmë drejt uljes së papunësisë tek të rinjtë

“Është e një rëndësie të veçantë që të punojmë drejt uljes së papunësisë tek të rinjtë e ketë jemi duke e bërë. Pra, duke ndërtuar ura lidhëse mes edukimit dhe punës përmes praktikes, trajnimeve të ndryshme, por edhe punës së garantuar përmes platformës SuperPuna. Platforma KGenU ka arritur sukses të madh deri tani dhe jemi të lumtur që ndër përfituesit, pra të praktikes në punë të ofruar përmes KGenU kemi edhe shumë të rinj nga komuntitet joshumicë...Si ministri, mbesim të përkushtuar në mbështetjen e të rinjve drejt zhvillimit të tyre profesional dhe kemi krijuar edhe mekanizma të ndryshëm për të arritur këtë qëllim, ndër to edhe platforma SuperPuna”, tha Murati.

Po ashtu, Murati ka falënderuar gjitha bizneset dhe organizatat joqeveritare për rolin e tyre në mundësimin e praktikes dhe kontributin e tyre në zhvillimin profesional të këtyre tek të rinjtë.

Shefja e Zyrës së UNICEF në Kosovë Nona Zicherman, është shprehur e kënaqur me ecurinë e kësaj platforme.

Zicherman: Kjo platformë përafrimi KGNU, tani numëron, 9600 të rinj

“KGNU është ndërtuar mbi një themel të fortë partneriteti. Si UNICEF, ne jemi shumë të kënaqur që kemi partneritet me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe me mbështetjen e Rrjetit Kosovar CSR, për të zgjeruar mundësitë e investimit për të rinjtë duke shtuar vlerë në fushat tona të ekspertizës dhe njohurive, të cilat përfshijnë dekada të punës këtu në Kosovë dhe globalisht, në fuqizimin dhe zhvillimin e aftësive të të rinjve, dhe përvojën e gjerë në kontakt me komunitetet e cenueshme dhe të margjinalizuara. Kjo platformë përafrimi KGNU, tani numëron, 9600 të rinj dhe 570 subjekte të mundshme pritëse të regjistruara. Në katër muajt e fundit tashmë janë ofruar 600 vende për punë praktike dhe jemi shumë të lumtur të raportojmë se 61 për qind e pjesëmarrësve në këtë periudhë të fundit ishin gra të reja”, tha Zicherman.

Drejtoresha ekzekutive, Rrjeti CSR në Kosovë Zana Bajrami Rama tha se ky program ka dhënë shembull pozitiv se si partneritetet dhe mobilizimi i bizneseve private, institucioneve publike të jenë gjithashtu faktor të rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së tyre të suksesshme.

Rama: Ky program ka dhënë shembull pozitiv në ndërtimin e së ardhmes

“Ajo që ne duam ta arrijmë bashkërisht, është sa më shumë diversitet në mesin e bizneseve dhe të rinjve dhe sa më shumë gjithë përfshirje. Padyshim KGenU ka dhënë një shembull shumë pozitiv se si partneritetet dhe mobilizimi i bizneseve private, inistitucioneve publike, agjencive zhvillimore dhe shoqërisë civile mund të gjenerojë gjenerata të reja të përgatitur për tregun e punës dhe të jenë gjithashtu faktor të rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së tyre të suksesshme. Ajo që duhet të ketë rendësi për ne si komunitet i biznesit është që të gjenerojmë praktikantë cilësor, që koha që ata kanë kaluar në kompanitë tona të jetë e vlefshme dhe një vlerë e shtuar për zhvillimin e tyre profesional, që i ndihmon atyre që me vetëbesim të hynë në tregun e punës”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat