​Sa diskriminohen gratë në konkurse të punës?

Kosova

​Sa diskriminohen gratë në konkurse të punës?

Më: 27 prill 2023 Në ora: 07:39
Foto ilustrim

Instituti GAP ka publikuar raportin me titull “Diskriminimi me bazë gjinore në shpalljet e vendeve të lira të punës”. Ky raport dëshmon se shpeshherë titujt për vende të lira të punës janë të shkruar në atë mënyrë që kategorizojnë një punë të caktuar sipas gjinisë.

Gjetjet e hulumtimeve të Institutit GAP tregojnë se konkurset e punës në sektorë të dominuar nga burrat përmbajnë më shumë fjalë që ndërlidhen me stereotipa mashkullor, sikurse fjalët lider, sfidues, konkurrues, dominues, përderisa në pozita të dominuar nga gratë, konkurset përmbanin fjalë që ndërlidhen me stereotipa femëror sikurse fjalët komunikim, bashkëpunim, kuptueshmëri, modesti.

“Prej një eksperimenti të vogël të realizuar rreth kësaj teme në vitin 2017, tani kemi analizuar të dhënat reale të mbi 7,500 pozitave të hapura në tregun e punës gjatë vitit 2022. Kjo falë edhe bashkëpunimit të KosovaJob, e cila nuk ka hezitu ta ndajë me ne databazën e pozitave të hapura nga kompanitë dhe institucionet gjatë vitit 2022 (ku përmbajtja e shpalljeve është përgjegjësi e vet kompanive dhe institucioneve)”, ka shkruar drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj në njoftimin e tij për raportin.

Ky raport vlerëson se sa është prezent diskriminimi me bazë gjinore në shpalljet publike për vendet e lira të punës në Kosovë, duke analizuar 6,225 shpallje për vende të lira të punës të publikuara në njërën nga platformat më të mëdha online të punësimit gjatë vitit 2022, si dhe 1,357 shpallje për vende të lira të punës të publikuara në platformën “Superpuna”, e cila është lansuar në shkurt 2023 nga MFPT-së.

-Nga analiza e 6,225 titujve të publikuar në platformën “KosovaJob” gjatë vitit 2022, 59% përmbajnë stereotipe gjinore, ku nga to 73% janë shkruar me gjuhë të kodifikuar mashkullore dhe 27% janë shkruar me gjuhë të kodifikuar femërore.

- Sektorët për të cilët kërkohen më shumë gra janë: administrata, edukimi dhe shëndetësia, kurse sektorët për të cilët kërkohen më shumë burra janë: tregtia dhe ekonomia, elektronika dhe energjetika, hulumtimi dhe zhvillimi, inxhinieria dhe ndërtimtaria, mirëmbajtja dhe sigurimi.

-Nga 1,357 tituj të publikuar në platformën “Superpuna”, 79% përmbajnë stereotipe gjinore të kodifikuara për burra ose për gra. Nga to, 74% përmbajnë stereotipe gjinore mashkullore, 26% përmbajnë stereotipe gjinore femërore.

- Paga mesatare për vendet e punës në platformën “Superpuna” të cilat janë të kodifikuara më stereotipe gjinore për burra është 391.5 euro, për vendet e punës të cilat janë të kodifikuara me stereotipe gjinore për gra është 336.3 euro, kurse për vendet e punës pa stereotipe gjinore është 412.6 euro.

Kjo analizë arrin në përfundim se dispozitat e tanishme ligjore nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e barazisë gjinore në tregun e punës dhe rekomandon masa më strikte për parandalimin e diskriminimit gjinor në punësim. Këtu e gjeni raportin e plotë të Institutit GAP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat