I vranë e zhdukën 376 civilë shqiptarë, masakra gjenocidale e Mejës

Kosova

I vranë e zhdukën 376 civilë shqiptarë, masakra gjenocidale e Mejës

Më: 27 prill 2023 Në ora: 08:30
Masakra e Mejës

Sot shënohet 24 vjetori i masakrës së Mejës, ku forcat serbe vranë e masakruan 376 civilë shqiptarë të pafajshëm. Më 27 prill të 99-ës, forcat serbe i kishin ndarë nga kolonat e të dëbuarve burrat shqiptarë, që më pas i vranë dhe i zhdukën pa gjurmë. Nga kjo masakër që është një ndër më të mëdhatë, nga rreth 400 të tilla që i shkaktoi regjimi serb në Kosovë, ende ka persona të zhdukur.

Me një ofshamë të madhe “ohaaaaa”, e fillon rrëfimin e saj Zejnepe Xhemajlaj nga fshati Rracaj, teksa përshkruan krimin e përmasave gjenocidale që forcat kriminelet serbë kryen në fshatin Meje të Gjakovës, sot 24 vite më parë.

Në Meje, forcat ushtarake e policore serbe kishin pushkatuar 376 shqiptarë civilë të pafajshëm. Të gjitha viktimat ishin burra. Në mesin e të vrarëve ishte edhe bashkëshorti dhe djali i zonjës Zejnepe. 

“Mërzi kam boll. Kam shumë shkrumbe të mdhaja. Unë e kam të vrarë burrin me gjithë djalë. Është i vrarë edhe baca Hasan me gjithë djalë. Është edhe Xhemajli. I kam edhe dy djem të kunatit. Në Meje janë vrarë me qindra djem e burra. S’di çka me thanë ma zi për jetën tonë dhe atë ditë të tmerrshme që na ka ndodhur”, tha ajo. 

Për krimin e llahtarshëm që kishte parë, flet edhe Ibrahim Haxhiu.

“Në mesin e shumë trupave të viktimave që kam parë, kam pa edhe 7 apo 8 trupa që ishin pa kokë. Në vendin e krimit kam parë edhe veshmbathje e gjësende të ndryshme”, rrëfeu Haxhiu për RTK.

Në Meje familjarë kishte humbur edhe Selim Zyberi nga fshati Mulliq. Përveç dhembjes së madhe për familjarët, brengë e madhe për të është edhe fakti se nga masakra e Mejës, ende ka viktima të pa gjetura. 

“Ende, edhe sot e kësaj dite janë edhe 16 persona të zhdukur. Ata munden edhe me qenë në ndonjë varr masiv ndoshta edhe këtu brenda në Kosovë.  Por që ende nuk ka fakte e dëshmi, e pa këto kurrë një gjë nuk po vërtetohet”, tha ai.

Që nga viti 1999, çdo 27 prill është i rëndë e më i rëndë për ne, thotë  Bekim Hasanaj nga fshati Meje, babai i të cilit vazhdon të jetë i zhdukur.

“Unë babanë ende nuk e kam gjet. E kam edhe axhën me djalë të zhdukur. Axhën tjetër me djalë dhe me nip i kemi gjetur. Ne si familje i kemi humbur 6 persona më 27 prill të vitit 1999-të”, tha ai. 

Drejtues i shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur “27 Prilli” në Mejë, Haki Sadrija thotë për Radio Kosovën se dhimbja e familjarëve është shumë e madhe. Por, megjithëkëtë, ajo që i ngushëllon familjarët, sipas tij, është fakti se numri më i madh i atyre që ishin ekzekutuar në masakrën e Mejës, tashmë janë gjetur dhe mbetjet mortore u janë kthyer familjarëve. Për tragjedinë e shkaktuar në Mejë, ende kriminelët nuk janë sjellë para drejtësisë, thotë Sadrijaj.

“Kemi me emra dhe mbiemra të deponuar, por që asnjëri prej tyre nuk është sjellë para drejtësisë. Kemi rastin e eprorëve ushtarakë të fshatit Korenicë, familja Micunoviq. Sepse selektimin e njerëzve në masakrën e Mejës e kanë bërë bashkëfshatarët tanë”, tha ai.

Sot, 24 vite më parë, në orët e hershme të mëngjesit, në një operacion të planifikuar, ushtria serbe kishte grumbulluar 376 meshkuj nga fshatra të ndryshme të Gjakovës, të cilët më pas i ekzekutuan. Në mesin e rreth 400 masakrave sa shkaktoi regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë, masakra e Mejës është një ndër më të mëdhatë dhe shpesh është cilësuar si një Srebrenicë e dytë e Ballkanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat