Familjet me asistencë sociale nga ky muaj do t’i marrin paratë në llogari bankare

Kosova

Familjet me asistencë sociale nga ky muaj do t’i marrin paratë në llogari bankare

Më: 28 prill 2023 Në ora: 15:41
Foto ilustrim

Familjet përfituese nga skema për asistencë sociale që nga ky muaj do të pranojnë ndihmën e shtetit në llogari bankare. Deri më tani, asistenca sociale te këto familje është shpërndarë përmes zyrave postare.

Ministria e Financave Punës dhe Transfereve (MFPT) njofton familjet përfituese të Asistencës Sociale se që nga ky muaj (prill 2023) do të pranojnë mjetet e asistencës në llogaritë private bankare, bazuar në konfirmimet që kanë dorëzuar në Qendrat për Punë Sociale.

“Andaj, përfituesit e asistencës sociale duhet të drejtohen tek zyrat apo pikat e Bankave Komerciale, ku i kanë llogaritë e tyre, për të pranuar mjetet e asistencës. Deri më tani, asistenca sociale është shpërndarë përmes zyrave postare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Në komunikatë thuhet po ashtu se në rast se ndonjë familje nuk pranon mjetet financiare për asistencës sociale për muajin prill 2023, atëherë duhet të paraqiten sa më parë në Qendrën për Punë Sociale në komunën e tyre dhe të njoftojnë zyrtarët e ndihmave sociale.

Përjashtimisht, përfituesit e Asistencës Sociale me status të azilantit do të vazhdojnë të pranojnë asistencën në Zyrat Postare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat