​1 Maji në Gërmi, ja çfarë thonë qytetarët për të drejtat e punëtorëve

Kosova

​1 Maji në Gërmi, ja çfarë thonë qytetarët për të drejtat e punëtorëve

Më: 1 maj 2023 Në ora: 18:35
Parku i Gërmisë

Parku i Gërmisë edhe këtë vit ishte destinacion i shumë qytetarëve për të shënuar 1 Majin – Ditën e Punëtorëve. Familjarë, shoqëri, e fëmijë janë mbledhur për të kremtuar përmes aktiviteteve, këngëve e lojërave të ndryshme.

Megjithatë, krahasuar me viteve e kaluara këtë radhë, është vërejtur fluks më i vogël i qytetarëve që frekuentonin natyrën e Gërmisë. E ata që zgjodhën këtë vend për të festuar këtë ditë, shprehën brengën e tyre për ikjen e të rinjve nga vendi.

Ata apelojnë për zbatim të të drejtave të punëtorëve në vend.

Nga Istogu për të kaluar Festën e 1 Majit në Parkun e Gërmisë ka ardhur edhe Xhelal Ramça, i shoqëruar nga kolegë.

Ramça thotë se të drejtat e punëtorëve duhet të zbatohen më shumë, në të kundërtën shton se Kosova do të mbes pa rini.

Ramça: Sivjet është shumë fluksi më i vogël, mjerisht rinia po e braktis vendin

"Sivjet është shumë fluksi më i vogël, mjerisht rinia po e braktis vendin... Kjo nuk është festë, punëtorët shprehin pakënaqësitë që kanë, ne veç jemi dalë të relaksohemi pak... Atmosfera pak më mirë tash, sepse paradite ka qenë më zbehtë... Nuk është mirë që kanë ikë rinia, tash edhe liberalizimi, por shpresojmë ta shfrytëzojnë për perspektivë, shkollim, kështu tash mund të jetë një liri për të rinjtë, që ta shohin botën... Dihet se punëtorët sidomos sektori privat nuk është mirë me paga, mungojnë sigurimet e shumë të drejta, kështu kisha pas porosi që të zbatohen të drejtat e punëtorëve", thotë Ramça.

E Nurije Paqarada, e cila frekuenton zakonisht parkun e Gërmisë, thotë se fakti që nuk ka kushte të mira pune në Kosovë të rinjtë po detyrohen të ikin jashtë vendit.

Paçarada: Nuk po ju plotësohen të drejtat e punëtorëve në Kosovë, të rinjtë po ikin

“Mirë po kalojmë, jemi dalë për ajër të pastër... rrogat e dobëta shumë, për familje e kanë të vështirë të mbesin gjallë me një rrogë të dobët... Mirëpo, nuk po ndihemi mirë, sepse po na ikin rinia”, thotë Paçarada.

Qytetari, Bashkim Deliu nga Drenasi, i cili vjen çdo vit ta festojë 1 majin në Gërmi thotë se këtë vit vërehet dukshëm numri i vogël i të rinjve.

Deliu thotë se institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për ta ndalur rininë, në të kundërtën Kosova do të zbrazet.

Deliu: Unë vij prej paslufte këtu rregullisht, çdo 1 maj, por tash qenka më zbrazët

"Erdhëm për pak shëtitje, të freskohemi me djalë, sepse edhe natyra mirë, qetë, ajri pastër... Rinia ikën gati të gjithë, Gërmia ka qenë e mbushur viteve të kaluara, tash vende, vende edhe është e zmbrapsur. Unë vij prej paslufte këtu rregullisht, çdo 1 maj, por tash qenka zbrazur, ikën rinia, po shihet... Po kërkojnë jetë më të mirë e paga", thaotë Deliu.

Ndonëse doli për të shënuar 1 Majin, qytetari Haxhi Korgjaj thotë për KosovaPress se nuk ka arsyeje që punëtorët në sektorin privat në Kosovë te festojnë sot. Sipas tij, mjerisht ka shumë të vdekur në vendet e punës nga kushtet jo të mira.

Korgjaj: Sipas rrethanave të vendit, nuk ja vlen te festohet dita e punëtorëve

“Sipas rrethanave jo, dita e punëtoreve sot dhe sa janë të vdekur prej aksidenteve në ndërtesa, po vdesin, nuk ja vlen për të festuar... Nuk janë rrethanat si duhet, nuk jemi të kënaqur askund, së pari rrethi nuk është e më pas tjerat... Ka ndryshuar koha me te madhe, sidomos për pleqtë shumë, nuk po i respekton askush”, tha Korgjaj.

I kënaqur me atmosferën e krijuar sot në Parkun e Gërmisë shprehet Skender Dedinca nga Fushë Kosova. Porse, edhe ai thotë gjendja ekonomike në vend lë për të dëshiruar dhe se duhet plotësuar kushtet e punëtorëve edhe në sektorin privat.

Dedinca: Rregullat po respektohen vetëm në punë të shtetit

“Në disa vende po respektohen e në disa jo, varet prej kompanisë, nëse është në kontrolle të shtetit i respektojnë rregullat... Unë kërkoj nga Qeveria që të ofrojë kushte më të mira, me pajisje të punës, me gjitha ato që i takojnë punëtorit”, thotë Dedinca.

Se viteve të kaluara ka pasur më shumë njerëz që festonin 1 Majin në Gërmi, thotë qytetarja Olsa Ruhani.

Sipas saj, tash po shihet një atmosferë më e zymtë.

Ruhani: Viteve të kaluara ka pas më shumë njerëz

“Kam ardhë për 1 majin, është shumë vend i mirë, ka edhe ajër shumë të pastër... Mirëpo, më herët ka qenë më ndryshe, ka pas më shumë njerëz, por tash nuk ka aq shumë qytetar sa ka pas më herët”, thotë Ruhani.

Si gjithmonë, për sigurinë e qytetarëve edhe sot është përkujdesur Policia e Kosovës. Aty mungoi as ekipet shëndetësore dhe të zjarrfikësve.

Ndryshe, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur dy protesta, dhe një aksion simbolik nga Partia Socialdemokrate.

Kujtojmë se, 1 Maji si manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat