Naim Bardiqi zgjidhet kryesues i Bordit të SHSKUK-së

Kosova

Naim Bardiqi zgjidhet kryesues i Bordit të SHSKUK-së

Më: 3 maj 2023 Në ora: 18:27
ShSKUK

Shërbimi Spitalor i Klinikës Universitare të Kosovës e ka zgjedhur kryesues të bordit Naim Bardiqin i cili mban edhe pozitën e sekretarit në Ministrinë e Shëndetësisë.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media.

“Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia bashkë me U.D drejtoreshën e SHSKUK-së, Dr. Narqize Arenaliu – Hoxhaj, iu uruan sot detyrën Bordit të ri të zgjedhur të SHSKUK-së, në përbërje: Dr. Dren Boshnjaku- Qendra Klinike Universitare e Kosovës; Dr. Tetore Olloni- Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Dr. Rrezarta Bajrami- Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik; Dr. Besim Demolli- Spitali i Përgjithshëm Ferizaj – në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore; Dr. Vjollca Kadolli-Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe Dr. Naim Bardiqi- Ministria e Shëndetësisë. Të pranishëm ishin edhe anëtarët e Bordit të kaluar të SHSKUK-së: Dr. Aida Rexhepi, Dr. Agreta Gecaj; Dr. Xhevat Jakupil, z. Mentor Sadiku, Dr. Vjollca Kadolli (e riemëruar) dhe z. Enver Gashi, të cilët ministri Vitia i falënderoi për punën dhe angazhimin e tyre gjatë tre viteve”, thuhet në njoftim.

Përmes komunikatës, njoftohet se ministri Vitia falënderoi anëtarët e Bordit të kaluar për përkushtimin dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në një situatë të vështirë siç ishte ballafaqimi me pandeminë Covid -19.

“Në fillim të punës kishim situatën me pandeminë Covid -19 që ishte një sfidë e jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor. Duke falënderuar Bordin e kaluar arritëm që me shumë punë, angazhim dhe përkushtim, t’ia dalim bashkërisht. Këta individë të jashtëzakonshëm, profesionistë shembull kanë dhënë kontribut kyç gjatë kësaj kohe dhe standardi i cili është ngritur besojmë që do të jetë ndihmesë edhe për bordin aktual për rrugën të cilën e kemi përpara”, tha me ketë rast ministri Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat