I akuzuari thotë se është i pafajshëm, ngarkohet për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Kosova

I akuzuari thotë se është i pafajshëm, ngarkohet për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Më: 12 maj 2023 Në ora: 12:26
Verdi Murtezi

Në seancën e sotme fillestare të mbajtur në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Verdi Murtezi, drejtori ekzekutiv në “TCA” të Korporatës Energjetike të Kosovës është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se nuk kishte deklaruar 384 m2 sipërfaqe të tokës.

Pas njoftimit me të drejtat procedurale nga gjykatësi i rastit Eroll Gashi dhe pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Rrahim Podvorica, Murtezi deklaroi se nuk e ndjen veten fajtor për veprën që i vihet në barrë.

“Jo nuk e ndjej veten fajtor për këtë vepër penale. Është fakt se diferencën që u përmend nuk e kam deklaruar por këtë nuk e kam bërë me qellim, por pa dashje sepse ka shumë parcela të rrugëve, ne jemi 5 vëllezër dhe kjo ka mund të më ikë, kur i kam deklaruar më shumë se 2 hektarë i kisha deklaruar edhe këto”, deklaroi i akuzuari Murtezi.

Gjithashtu mbrojtësi i tij, avokati Enver Maxhuni theksoi se e mbështetë deklarimin e të mbrojturit të tij duke konsideruar që pafajësia  e tij do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Pas deklarimeve të tilla, gjykatësi Gashi njoftoi palët se deri më 12 qershor 2023 mund të paraqesin kundërshtimet e provave si dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Gjithashtu lidhur me këto kundërshtime i njëjti ka njoftuar se do të vendosë jashtë seancës, pra shqyrtim të dytë nuk do të ketë, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa ka bërë të ditur se nëse nuk ushtrohen këto të drejta gjykata do caktojë shqyrtimin kryesor lidhur me këtë rast.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 20 dhjetor 2022, me datë 31 mars 2021, në Prishtinë i pandehuri Verdi Murtezi, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv në “TCA” të Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk ka përgatitur të dhënat e kërkuara në formularin e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për deklarim, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në formularin në fjalë për vitin kalendarik paraprak nga 1 janari e deri me 31 dhjetor 2020 nuk i ka deklaruar në tërësi sipërfaqen reale të pasurisë së paluajtshme, sepse pas verifikimit nga organet kompetente, diferenca në mes të pasurisë së paluajtshme të deklaruar dhe sipërfaqes reale të pasurisë së paluajtshme të pa deklaruar është 384 m2, si pasuri të pa deklaruar në formularin në fjalë.

Me ketë rast i akuzuari Murtezi po ngarkohet se ka kryer veprën penale, “Mos raportimi apo raportimi i rreme i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 par. 2 te KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat