Ligjërata e ekzaminime falas nesër në Ditën e Ndërgjegjësimit për Melanomën

Kosova

Ligjërata e ekzaminime falas nesër në Ditën e Ndërgjegjësimit për Melanomën

Më: 22 maj 2023 Në ora: 20:25
Foto ilustrim

Të martën Shoqata e Onkologëe të Kosovës bashkë me përfaqësuesen kosovare të Euromelanomës do të mbajnë aktivitete ndërgjegjësuese për melanomën.

“Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK) në bashkëpunim me përfaqësuesen Kosovare të Euromelanomës, organizon fushatën ndërgjegjësuese për Melanomën”, thuhet në komunikatën e ShOK-ut.

“Ky event organizohet me qëllim të sensibilizimit rreth rrezikut që shfaqë melanoma si sëmundje dhe rëndësisë së zbulimit dhe trajtimit të hershëm të saj”.

“Melanoma është një lloj i kancerit të lëkurës dhe jo vetëm, i  cili mund të jetë me pasoja fatale nëse nuk zbulohet dhe trajtohet me kohë”.

“Është e rëndësishme që secili individ t’i kuptojë faktorët e rrezikut dhe shenjat paralajmëruese të melanomës si dhe të ndërmarrë hapa për të mbrojtur veten nga sëmundja”.

Për shënimin e kësaj dite, nesër do të ketë fushatë ndërgjegjësuese në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ku do të flasin onkologë e dermatologë, si dhe do të bëhen ekzaminime falas.

Ndërkaq, më vonë do të zhvillohet aktivitet shkencor ku do të ligjërohet për parandalimin dhe hetimin e trajtimin e melanomës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat