​Rahoveci pa matematikanë, Latifi: Të gjithë duan të bëhen juristë

Kosova

​Rahoveci pa matematikanë, Latifi: Të gjithë duan të bëhen juristë

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 16:03
Mbledhja e Kuvendit Komunal të Rahovecit

Mbledhja e Kuvendit Komunal të Rahovecit ishte vendi ku u zhvillua një demat për mungesën e kuadrove nëpër shkolla, si dhe mbështetjen me bursa. Aty u tha se në këtë komunë, por edhe në të tjerat ka mungesë të interesimit të studentëve për të studiuar për matematikë dhe fizikë.

Çështjen për mungesën e kuadrove nëpër shkolla e ngriti Burim Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për të cilët tha se komuna nuk po i jep prioritet me bursa.

Krasniqi: Mungesë të kuadrove në matematikë e fizikë, komuna nuk ka prioritet me bursa

E dimë secili prej nesh që shumë shkolla kanë probleme me kuadra, po flasim të matematika, te fizika dhe te disa lëndë të tjera. Ka ardhur te një momentum i tillë për arsye që nuk ka një qytetar të kualifikuar në këto drejtime. Është mandati i dytë, është viti i gjashtë i qeverisjes dhe sot kur është dal lista e fituesve të bursave nuk e shoh që i keni dhënë prioritet drejtimeve për të cilat ka nevojë komuna e Rahovecit. Për drejtime që janë të rëndësishëm për komunën i jepet shtytje, nuk priten me ndodhë me vullnet, unë kam pritur që së paku në këtë konkursin e fundit do të shtyni studentë ose maturantë që të shkojnë në studime në lëndë specifike që i duhet komunës së Rahovecit, gjegjësisht arsimit në komunën tonë, kur t'i ndani bursë të plotë të studimeve, jo 50 euro në muaj, ose 500 euro në vit, por t'i ndani 2 mijë euro në vit vetëm e vetëm që të ruhet në komunën e Rahovecit që të mos vijë situata ku shkollat tona të mos kenë kuadra për përgatitjen e fëmijëve tanë”, tha ai.

Kurse, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se me bursa i favorizojnë studentët me shkenca ekzakte.

Latifi: Të gjithë duan të bëhen juristë, edukatorë, infermierë

“Një konkurs është shpallur në Komunë të Gjakovës për matematikë, asnjë s'ka aplikuar. Gjakova ka 88 fshatra plus qyteti. Edhe në Rahovec nuk ka matematicienë. Shumë pak ka drejtime, ose njerëzit po i zgjedhin drejtimet e shkencave natyrore. Edhe ky është një problem sfidues, shumë i madh. Të gjithë duan të bëhen juristë, edukatorë, infermierë, mirë është që i zgjedhin ato drejtime, por shumë pak ka për interesim... I favorizojmë këta që janë me shkenca ekzakte, mirëpo kjo është ndihma e përgjithshme, fatkeqësisht ky është momentumi i cili nuk i shërben më së miri Republikës së Kosovës por edhe shoqërisë në përgjithësi”, tha ai.

Aty u tha se Komuna e Rahovecit jep nga 60 euro në muaj pwr studentwt me note 9 deri 10 dhe nga 50 euro në muaj me note deri në 9.

Kurse, kriteret aktuale janw nota mesatare, drejtimi, raste sociale, familjet e dëshmorëve, invalidëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat