Mbyllet komuna në Novobërdë, serbë e shqiptarë në festë pa tensione

Kosova

Mbyllet komuna në Novobërdë, serbë e shqiptarë në festë pa tensione

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 00:56
Komuna e Novobërdës

Ndryshe nga veriu që janë bërë më shumë se një muaj që komuniteti serb ka zënë oborret e komunave duke protestuar, kjo nuk po ndodhë në Anamoravë.

Në komunën e Novobërdës nuk kanë dal në punë as serbët e as shqiptarët pasi që të dy palët kanë festuar të mërkurën festat e tyre.

Serbët kishin marrë rrugën për në Graçanicë për Vidovdanin, kurse shqiptarët festuan Kurban Bajramin.

Në ndërkohë, qytetarë nga komuniteti rom tregojnë që aty nuk ka asnjëherë probleme ndëretnike.

“Nuk ka probleme si me shqiptar si me serb, si me rom. Fëmija e mi shkojnë në shkollë ku mësohet serbisht. S’ka asnjëherë probleme”, ka deklaruar Sabri Jashari – Banor i Novobërdës.

Pak a shumë për të njëjta raporte sa i përket bashkëpunimit institucional ka treguar edhe nënkryetari i Novobërdës, Bajrush Ymeri.

“Situata ka qenë e qetë dhe stabile vazhdimisht, ne punojmë bashkë në institucion qe 24 vite dhe mund të them lirisht që nuk ka reflektu diçka që me u vërejt diçka ndryshim nga e kaluara. Kemi ardhë në kohë në punë, kemi kryer detyrat tona”, ka deklaruar ai.

Por, përfaqësuesi më i lartë i shqiptarëve të kësaj komune komentoi gjithashtu edhe situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Sipas tij, zgjidhja e vetme është bashkëpunimi me ndërkombëtarët.

“Po e shohim pak me shqetësim, kemi pritë që situata të shkoj kah përmirësimi dhe të kemi gjendje pak më të mirë atje. Po presim me u rregullu por nuk është që po mbajmë shumë shpresa. Secili prej neve e din që në atë pjesë nuk është edhe e lehtë me u gjet një zgjidhje pra duhet të jetë një koordinim sa më i ngushtë me aleatët tonë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Komuna e Novobërdës është anëtare e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat