Totaj: Qeveria ka qasje jobashkëpunuese me komunat, pesë herë i kam shkruar ministrit Çeku

Kosova

Totaj: Qeveria ka qasje jobashkëpunuese me komunat, pesë herë i kam shkruar ministrit Çeku

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 22:56
Shaqir Totaj

Kryetari i Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, thotë se me qeverisjen qendrore kanë një qasje jo-bashkëpunuese dhe jofleksibile.

Totaj, thotë se qeveria qendrore krijon limite, krijon vështirësi në punë, vonon projekte, si dhe afate.

“Kjo nuk ndodh vetëm me Komunën e Prizrenit, për sa i përket qeverisjes qendrore kemi një qasje jo-konstruktive, jo-parimore ndaj krejt komunave komplet, nuk po dua t’i përfshij komunat të cilat i udhëheq Vetëvendosja, por të gjitha komunat tjera duke ia filluar prej Prishtinës, Prizrenit e të gjitha të tjerat qeveria qendrore ka një qasje jobashkëpunuese, jo-konstruktive, jofleksibile dhe kjo natyrisht që prodhon pasoja, sepse në vend se me na mundësu me i rrit kapacitetet tona na krijon limite të ndryshme, na krijon vështirësi në punë, na i vonon projektet, afatet edhe nuk e di ku është qëllimi, a është mungesë vizioni apo është qëllimi me na vendos neve keq, këtë nuk e di”, tha ai.

Sipas tij, arsyetimet e qeverisjes qendrore janë formale, por që nuk kanë argumente.

“Arsyetime kanë formale, por realisht argumente nuk ka, sepse një bashkëpunim i mirë i qeverisjes qendrore me qeverisjen lokale do të mundësonte rritjen e performancës edhe te qeverisjes qendrore edhe të qeverisjes lokale. Kjo ka ndodhë dhe vazhdon të ndodh”, tha i pari i Prizrenit.

Totaj, tregoi që pesë herë ka tentuar ta kontaktoj ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çekun, për të diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit për krijimin e projekteve në Prizren, por i njëjti nuk i është përgjigjur, madje as si ka kthyer email.

“Pesë herë i kam shkruar ministrit Çeku, i cili është i Prizrenit, i kam kërkuar takim për me diskutu për mundësinë e bashkëpunimin për krijimin e projekteve në Prizren, meqenëse edhe ai është qytetari i Prizrenit, le që nuk pranon takim, por as nuk e kthen email-in, e njëjta gjë ndodh edhe me ministrat tjerë. E vërteta është që kjo ndodhë dhe kjo ka pasoja të cilat janë pamundësia e realizimit  të disa projekteve  në relacion me qytetarët e Prizrenit. Pse po ndodhë, unë e di. Nuk shoh ndonjë argument valid pse po ndodh kjo. Nuk do të duhej të ndodhte kjo. Nuk është vetëm me këtë ministër edhe me të tjerët ndodh”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat