Komuna e Vushtrrisë ofrohen shërbime për mërgimtarë edhe të shtunave

Kosova

Komuna e Vushtrrisë ofrohen shërbime për mërgimtarë edhe të shtunave

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 13:10
Ferit Idrizi

Mërgimtarët që vijnë në Komunën e Vushtrrisë do të mund të marrin shërbime administrative duke filluar nga e shtuna, shërbime këto që janë ofruar edhe vitin e kaluar në muajt e verës.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se përderisa vitin e kaluar në dispozicion të mërgimtarëve kanë qenë katër sportele, këtë vit ky shërbim administrativ i ka rritur kapacitetet duke shtuar kështu edhe dy sportele.

Idrizi pohoi se për mërgimtarët janë siguruar edhe vend-parkingje të veçantat dhe se kanë marrë garanci nga kompania regjionale e ujësjellësit se do të ketë ujë 24 orë.

Ai më tej ka folur edhe për aktivitet që Komuna ka organizuar për nder të mërgimtarëve, ku përmendi dy festivale njërin këtë muaj e tjetrin në gusht.

“Këtë vit do të kemi edhe shërbime shtesë. Diasporës i dëshiroj mirëseardhje, te ne do t’i gjejnë të gjitha shërbimet. Ne jemi përkujdesur që për diasporën t’i sigurojmë edhe vend parkingjet e automjeteve mandej kemi aktivitete të ndryshme kulturore të cilat janë përgatitur nga drejtoria e kulturës”.

“Kemi dy festivale, njërin në muajin korrik dhe njërin në muajin gusht dhe ato do të përcillen me aktivitete të ndryshme kulturore. Jemi munduar që në këtë sezon veror ta presim diasporën që janë pjesë e familjeve tona sa më mirë e sa më ngrohtë”.

“Jemi koordinuar edhe me kompaninë regjionale të ujësjellësit që ujë të ketë 24 orë. Dhe kështu do t’u ofrojmë të gjitha shërbimet por mbi të gjitha do t’u ofrojmë ngrohtësinë familjare”, tha kryetari Idrizi.

Ndërkohë drejtoresha e Administratës në Vushtrri Hava Rruka-Mlinakun, u shpreh se kanë bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e mërgimtarëve.

Ajo ka sqaruar se për dy muaj shërbimet për mërgimtarët do të ofrohen nga ora 10:00 deri në orën 14:00, raporton EO.

“Ashtu si vitin e kaluar drejtoria e administratës në bashkëpunim me kryetarin ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një qëndrim sa më të mirë dhe një mikpritje sa më të mirë për bashkatdhetarët tanë, duke filluar sot 1 korrik deri më 31 gusht do ta kemi shërbimin edhe të shtunave prej orës 10:00 deri në ora 14:00. E kemi parë të arsyeshme të zgjerojmë edhe sportelet për shërbim për qytetarë”.

Shemsi Uka, zyrtar në këtë Drejtori, tha se shërbimet kryesore që më së shumti kërkohen nga mërgimtarët janë pajisja me certifikatat e fëmijëve të lindur jashtë vendit në mënyrë që më tutje të mund të pajisen me letërnjoftim apo pasaportë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat