​Provimi Shtetëror i Maturës, kalueshmëria 66.04 përqind

Kosova

​Provimi Shtetëror i Maturës, kalueshmëria 66.04 përqind

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 17:06
Foto ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar mbi 20 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin. Këtë vit, rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 66.04 përqind.

Sipas një njoftimit të MAShTI-së, rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës tashmë janë shpërndarë në shkolla.

“Provimi i mbajtur më 24 qershor, është organizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke dhe është mbajtur në 177 qendra të testimit. Në këtë proces kanë qenë të angazhuar rreth 1600 administrues të cilët kanë qenë të vendosur në çdo sallë të testimit dhe po ashtu edhe mbikëqyrës nga Universiteti i Prishtinës.

Gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim nga disa nxënës dhe si pasojë e posedimit dhe përdorimit të telefonit janë përjashtuar 33 nxënës. Këshilli Shtetëror i Maturës (KShM) ka konstatuar se procesi i testimit ka shkuar në rregull dhe se vendosja në një sallë e nxënësve nga klasa të ndryshme ka pasur ndikim pozitiv në administrimin e testit”, thuhet në njoftim.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e mbajtjes së Provimit Shtetëror të Maturës për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat