Djegia e shtëpisë në Istog, KMDLNJ: Qeveria të ndajë mjete të nevojshme financiare

Kosova

Djegia e shtëpisë në Istog, KMDLNJ: Qeveria të ndajë mjete të nevojshme financiare

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 12:22
KMDLNJ

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ dënoi sot djegien e një shtëpie në Istog, e cila ishte e një serbi që kishte vendosur të kthehej për të jetuar aty.

Sipas KMDLNJ-së, zjarrëvënia duket të jetë e qëllimshme për të penguar kthimin e një personi të zhvendosur në pronën e vet.

KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndajë mjete të nevojshme financiare për riparimin e shtëpisë së dëmtuar nga zjarrëvënia në mënyrë që të krijohen kushtet fizike për kthim të personit të zhvendosur të cilit, gjithashtu do t’i garantohej edhe siguria.

“Persona të paidentifikuar deri më tani i vënë flakën shtëpisë së një serbi që kishte vendosur të kthehej në Istog duke e shkatërruar në masë të madhe dhe duke e bërë të pabanueshme. Zjarrëvënia duket të jetë e qëllimshme për të penguar kthimin e një personi të zhvendosur në pronën e vet e që është e drejtë e patjetërsueshme e disponimit të pronës dhe e drejtë elementare e njeriut për t’u kthyer në këtë pronë. Që nga përfundimi i luftës, KMDLNj –ë është angazhuar që personat e zhvendosur të kthehen në pronën e tyre pavarësisht përkatësisë etnike, moshës, gjinisë, bindjeve politike, statusit në shoqëri etj. sikur që ka konsideruar dhe angazhuar që ky kthim të mos kushtëzohet me asgjë. Më herët, KMDLNj –ë organizonte vizita informuese për personat e zhvendosur në mënyrë që të krijoheshin kushtet për një kthim të papenguar e që do ta bënte kthimin më të qëndrueshëm dhe integrimin në shoqëri më të mundshëm.”, u bë e ditur në komunikatë.

Zjarrëvënien në shtëpi të një të zhvendosuri të përkatësisë serbe në Istog, KMDLNj e konsideron si një veprim flagrant kundër të drejtave të njeriut dhe dhunim të pronës “dhe si të tillë e dënon duke kërkuar hetime të shpejta, të pandikuara, profesionale dhe të pavarura për çka Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme ta zgjidhë edhe këtë rast dhe përgjegjësit t’i sjellë para organeve të drejtësisë.”

“KMDLNj e thekson se përgjegjësia për sigurinë dhe integrimin e personave të zhvendosur e që kanë vendosur të kthehen në pronat e tyre i takon palës pranuese që përbënë shumicën absolute të banorëve në mjedisin ku jetojnë, pra shumicës shqiptare. KMDLNj –ë shpreson se rasti do të zbardhet shpejtë dhe se ky rast do të mbetet si rast i izoluar i cili nuk duhet të frikësojë dhe pengojë kthimin e personave të zhvendosur.”, u bë e ditur tutje në komunikatë.

Për djegien e shtëpisë në Istog, ka reaguar dje edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili e ka quajtur sulmin kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat