​Banorët e Klinës s’duan tym pranë shtëpive, kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos

Kosova

​Banorët e Klinës s’duan tym pranë shtëpive, kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 14:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Me moton “Të jetojmë në vendin tonë”, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Ambientit në Klinë, ka protestuar kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc të kësaj komune.

Banorët po e kundërshtojnë këtë ndërtim duke thënë se i njëjti do të shkatërrojë mjedisin, ajrin, burimet e ujit, florën e faunën.

Të vendosur para komunës, me pankartat “Nuk e meritojmë ndotjen”, “Fabrika=Ndotja e ujit, ajrit e tokës”, “Mos ma prek Dukagjinin”, qytetarët kërkuan të tërhiqet prapa ky vendim.

Në shenjë kundërshtimi, ata kanë tymosur objektin e komunës.

Organizatori i kësaj proteste, Veton Raci, tha se nuk do të lejojnë ndërtimin e kësaj fabrike.

Raci: Nuk do të lejojmë ndërtimin e fabrikës së çimentos

"Nëse dje ishe patriotizëm të luftohet për çlirimin e vendit tonë, sot është të ruhet ambienti dhe vendi në të cilin po jetojmë. Në takimet që kemi pas me kryetarin, me shumë bindje thoshte se derisa të ketë banorë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos, nuk do të lejohet ndërtimi i saj. Për me keq, ai prapa shpine punonte që operatorët të pajisjen me dokumentacion, këtë e bënte në mënyrë tinëzare. Sot qytetarët e kanë kuptuar këtë hile dhe sot jemi këtu ta ndrisim zërin ndaj hileve të shtetit që janë bërë karshi banorëve të Klinës. Beteja jonë është për drejtësi. Ne nuk shkuam të ndërtojmë shtëpitë tona tek fabrika e çimentos, por, fabrika po synohet të ndërtohet te shtëpitë tona, dhe kështu ne do të banojmë në shtëpitë tona e fabrika e çimentos nuk do të ndërtohet", tha Raci.

Ai tha se mbështetje për këtë kanë marrë edhe nga komuna e Pejës, Istogut dhe Malishevës.

Edhe përfaqësuesja nga organizatat joqeveritare, Egzona Shala, u shpreh kundër ndërtimit të kësaj fabrike.

Shala: Qytetarët duan ujë e tokë

"Po i pyes ata që ua kemi jep votën, ata që kanë premtuar e që po thonë se e duan vendin e vet. Pse duhet ta bëjmë dikë milioner, pse duhet qytetarët ta falim e vet, pse duhet të ndotet ajri. Nuk po kërkojmë lluks, qytetarët po duan rehati, ujë e tokë", tha Shala.

Kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos, u shprehen edhe mërgimtarët.

Nrec Mirdita tha se derisa qytetaret e kundërshtojnë këtë vendim, nuk do të ndërtohet fabrika e çimentos.

Mirdita: Derisa ka kundërshtim, nuk do të ndërtohet fabrika e çimentos

"Të jetojmë në vendin tonë. Fabrika e çimentos jo, dhe duhet të jetë jo. Derisa ne kundërshtojmë, nuk do të ndërtohet kjo fabrikë", tha Mirdita.

Edhe bashkatdhetari Ramadan Gashi, u shpreh kundër ndërtimit të kësaj fabrike.

Gashi: Ata që nuk dhanë asgjë për vendin, duna t’i marrin të gjitha

"Gjithë mundin e sakrificën ja kam kushtuar këtij vendi që një ditë të kthehem, dhe vitet e fundit të jetës t'i kalojë në vendin tim me qetësi, për të cilin çdo gjë dhashë e asgjë nuk mora. E ata që nuk dhanë asgjë për këtë vend, duan t'i marrin të gjitha. Unë fuqishëm jam dhe do jem kundër ndërtimit të kësaj fabrike", tha Gashi.

Kujtojmë se në vitin 2020, afër pesë mijë qytetarë të Klinës e kanë nënshkruar një peticion duke e kundërshtuar ndërtimin e fabrikës së çimentos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat