35 punonjës të policisë u dorëhiqen vullnetarisht këtë vit

Kosova

35 punonjës të policisë u dorëhiqen vullnetarisht këtë vit

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 21:12
Foto ilustrim

416 të rinj, ditë më parë iu bashkuan misionit për sigurinë e vendit, duke dhanë betimin për shërbim në institucionin e Policisë së Kosovës.

Me ëndrra e plane për të ardhmen dhe me nder që do të shërbejnë për atdheun, policët e rinj shprehën entuziazmin për detyrat e reja.

“Ka qenë dëshirë e imja prej fëmijërisë me qenë pjesëtare e Policisë së Kosovës, pasi dua t'i shërbejë atdheut tim", ka thënë një pjesëtare e re e policisë.

Por, për dallim nga këta që sapo iu bashkuan policisë, dhjetëra të tjerë këtë vit i ndanë rrugët me forcat e rendit.

Sipas Policisë së Kosovës, gjysmën e parë të këtij viti, dorëheqje vullnetare kanë dhënë 35 të punësuar, prej tyre 6 kadetë dhe 6 staf civil.

E arsyet për këtë i numëron kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, sipas të cilit, Qeveria duhet të përmirësoj kushtet e Policisë, e cila përveç tjerash është edhe pa sigurim shëndetësor qysh nga themelimi.

“Nga informacionet që ne i kemi kryesisht kanë dhënë dorëheqje për shkak të pakënaqësive të kushteve si dhe tani së fundmi edhe të pagës. Por po ashtu si skandal që u krijua në Policinë e Kosovës është shtesa për rrezikshmërinë në punë prej implementimit të ligjit të ri të pagave në muajin shkurt. Janë bërë 5 muaj që prejse nuk është duke u ekzekutuar kjo shtesë dhe kjo ka krijuar pakënaqësi jashtëzakonisht të madhe te Policia e Kosovës, gjë që kemi paralajmërime se nëse kjo nuk bëhet dhe vazhdon kështu do të kemi edhe dorëheqje të tjera në vazhdimësi”, ka theksuar kryesindikalisti i policëve.

Shqetësuese dorëheqjet e policëve i sheh edhe eksperti i sigurisë, Fatmir Çollaku, sipas të cilit, Qeveria  duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe konsideratë pjesëtarëve të policisë.

“Braktisja e Policisë së Kosovës nga ana e pjesëtarëve të saj në shumicën e rasteve ndodh për arsye ekonomike, do të thotë pagat e vogla dhe mospagesa e shtesave apo rrezikshmërisë, e që me një fjalë ata persona nuk ndihen me dinjitet dhe e lëshojnë Policinë e Kosovës. Ky është një tregues shqetësues për Republikën e Kosovës sepse shkollimi dhe formimi i një zyrtari policor ka një kosto relativisht të lartë dhe në anën tjetër edhe në aspektin moral e shoqëror është humbje”, ka thënë Çollaku.

Ditë më parë Sindikata e Policisë së Kosovës dorëzoi në Kuvend, peticionin e nënshkruar nga mbi 62% e pjesëtarë të saj, që ka të bëjë me pakënaqësinë me ligjin e pagave. Nga themelimi e deri më tani, 2285 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga shërbimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat