AGK mirëpret vendimin e Gjykatës Komerciale në favor të Klan Kosovës

Kosova

AGK mirëpret vendimin e Gjykatës Komerciale në favor të Klan Kosovës

Më: 3 gusht 2023 Në ora: 11:29
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Komerciale në Prishtinë, që ka aprovuar ankesën e televizionit Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për pezullimin e certifiktës së binzesit nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë.

AGK ka potencuar se vendimi i sotëm mundëson vazhdimin e operimit të punës së televizionit Klan Kosova, “përkundër vendimit të qeverisë për ta mbyllur atë”.

“AGK-ja, do të monitorojë nga afër procedurat e tjera në vazhdim, me shpresën që epilogu i shpejtë do të përmbyllë këtë episod të përpjekjes së qeverisë për të minuar lirinë e medies në Kosovë.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Gjykata Komerciale ka informuar sot se ka aprovuar kërkesën e Klan Kosovës, duke shtyrë vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) rreth pezullimit të certifikatës së biznesit.

“APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve. II. SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.”, është bërë e ditur në vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat