Në Kosovë shpeshherë ka përshkrim të panevojshëm të antibiotikëve

Kosova

Në Kosovë shpeshherë ka përshkrim të panevojshëm të antibiotikëve

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 12:25
Foto ilustrim

Personeli shëndetësor në Kosovë duhet të ketë me shumë kujdes në përshkrimin e disa antibiotikëve. Me një kërkesë të tillë ka dalë edhe vetë  Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale ditë më parë. Mikrobiologët thonë për Radio Kosovën se shpeshherë ka përshkrim të panevojshëm të antibiotikëve në Kosovë. 

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale ditë më parë ka aprovuar kërkesën e një kompanie farmaceutike për ndalimin e përdorimit të antibiotikëve fluorokinolone sistemike dhe të inhaluar (Ciprofloxacin, Levofloxacin, Norofloxacin) në disa raste të veçanta si dhe përdorimin e tyre përtej dozave të rekomanduara.

Në barnatoret në kryeqytetit ky lloj i antibiotikëve po jepet si zakonisht. Në njërën nga barnatoret e Prishtinës në kushte anonimiteti për Radio Kosovën thonë se përderisa  përshkruhen nga mjekët këta lloj të antibiotikëve, natyrisht që edhe ata i shesin për pacientë.

“Po i kemi në farmaci këta lloj të antibiotikëve dhe i japim vetëm me recetë të mjekut. Përderisa mjekët i përshkruajnë në recetën për pacientët  e tyre, edhe ne ua japim. Në momentin që na vjen vendimi të mos japim, nuk i shesim. Por mendoj që edhe mjekët duhet ta zbatojnë së pari që mos t’i përshkruajnë për infeksione të lehta. Ciprofloxacin, Levofloxacin, Norofloxacin janë antibiotikë që përdoren për infeksione të traktit të sipërm dhe të poshtëm urinar”, tha për Radio Kosovën një punëtore në njërën nga barnatoret e kryeqytetit.

Mikrobiologu Lul Raka thotë së në Kosovë  përshkrimi i antibiotikëve bëhet jo çdo herë në mënyrën e duhur dhe se personeli shëndetësor duhet të ketë kujdes me përshkrimin e tyre, edhe pse sipas tij, ky është një problem global.

“Duhet pasur kujdes në përdorimin e antibiotikëve edhe popullata e cila merr antibiotikë pa përshkrim të mjekut. Edhe pse farmacisti nuk guxon ta shesë në bazë të ligjit. Edhe po ashtu ka përshkrim shpeshherë të panevojshëm të antibiotikëve në Kosovë, Evropë  dhe çdo kund në botë. Agjencia Kosovare ka bashkëpunim më Agjencinë Evropiane të Barërave dhe çdo rekomandim i tyre duhet të përcillet dhe të zbatohet në praktikë”, tha Raka.

Ndërsa në sqarimin e  Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale drejtuar  personelit shëndetësor  shkruan se këta lloj të antibiotikëve (Ciprofloxacin, Levofloxacin, Norofloxacin) vazhdojnë të përshkruhen përtej dozave të rekomanduara për përdorim. Në bazë të studimeve të fundi që janë bërë për këtë lloj të antibiotikeve nga  Agjencia Evropiane e Barërave (EMA), ata nuk duhet të përshkruhen  te pacientet që kanë pasur reaksione negative ndaj antibiotikeve. Po ashtu rekomandohet që ky lloj i antibiotikëve të mos përdoret edhe te pacientët tek infeksionet e lehta si dhe tek infeksionet jo bakteriale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat