Rritet numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në QKUK

Kosova

Rritet numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në QKUK

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 07:50
Foto ilustrim

Rritet numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e virozëve të verës. Ndërsa institucionet shëndetësore bëjnë apel për kujdes të shtuar ndaj fëmijëve.

Në Spitalin e Pediatrisë në Prishtinë, brenda 24 orëve kërkojnë trajtim mjekësor rreth 150 fëmijë, shumica prej tyre janë me virozin  e barkqitjes e të vjellave si dhe me temperaturë.

Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën pediatri Ali Venhari, i cili tha se kjo virozë është e verës dhe shfaqët kryesisht te fëmijët si rezultat i ndryshmit të temperaturave.

"Kemi deri 150 vizita brenda 24 orëve që vijnë dhe kërkojnë ndihmë mjekësore. Në këtë kohë te fëmijët është një virozë e verës e e cila përcillet me të vjella, barkqitje dhe me temperaturë. Kryesisht rastet te fëmijët janë më këtë virozë Kemi edhe raste me patologji të tjera por që fluksi me i madh është me këtë virozin e verës që përcillet me barkqitje, temperaturë dhe të vjella te fëmijët", tha ai.

Venhari, tutje ka thënë se kur ka fluks të madh të pacientëve, i dërgojmë fëmijët nëpër reparte të tjera në dhoma të veçanta, sepse fëmijët me virus mund ta bartin virusin nga njëri fëmijë te tjetri por që tani për tani sipas tij, gjendja është nën kontroll.

Por, njëra nga nënat që kishte fëmijën e shtrirë në Pediatri, tha se është numër i madh i pacientëve dhe shoqërueseve të tyre dhe se e kanë vetëm një tualet në shërbim. 

"Vetëm një tualet e kemi në shërbim dhe këtu ka shumë fëmijë të shtirë e edhe nënat bashkë më ta. Fëmijët i kemi me barkqitje. S’po presin, çdo 15-20 minuta  barku po i qet fëmijët, wc- të po janë të bllokuara e në repart tjetër s’na lënë të shkojmë. Unë jam me një plastikë t’u e qit fëmijën", tha ajo.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel te prindërit që të kenë kujdes të shtuar te fëmijët  që në ditët kur janë temperaturat e larta, të mos ekspozohen në diell e sidomos fëmijët nga mosha 0 deri 6 muaj. 

Apelohet që gjatë ekspozimit në diell, fëmijët e të gjitha moshave të kenë të vendosur kapelën me strehë, të konsumojnë ujë rregullisht, veshja të jetë me rroba të gjera e të lehta dhe të bëhet pastrim i rregullt i fëmijëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat