Për gjashtë muaj, 1268 raste të dhunës në familje - RrGK vlerëson se dënimet janë të ulëta

Kosova

Për gjashtë muaj, 1268 raste të dhunës në familje - RrGK vlerëson se dënimet janë të ulëta

Më: 12 gusht 2023 Në ora: 10:47
Foto ilustrim

Nga janari e deri në fund të qershorit në Polici janë raportuar 1 268 raste të dhunës në familje, përderisa numri i viktimave në këto raste është 1 324. Sipas Policisë së Kosovës nga ky numër i viktimave 1 029 janë femra dhe 295 meshkuj.

Policia i ka konfirmuar  përmes një përgjigje me shkrim se gjatë vitit 2022 janë evidentuar 2 674 raste të dhunës në familje. Numri i viktimave në këto raste ishte 2 808 viktima, prej tyre 2 289 femra dhe 519 meshkuj.

Përderisa Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se nga hulumtimet që kanë bërë këtë vit, mbi 68 për qind e grave kanë deklaruar se kanë përjetuar ndonjë lloj të dhunës gjatë jetës së tyre. Sipas saj, edhe pse kohëve të fundit është rritur numri i raportimeve për dhunë, prapë ato shifra nuk e tregojnë realitetin.

Berisha tha se në rritjen e numrit të raportimeve të dhunës kanë ndikuar fushatat e organizatave të grave dhe kontakti i tyre drejtpërdrejt me gratë.

“Ne mendojmë që edhe pse është rritur ky numër i raportimeve, ky prapë nuk e tregon realitetin. Është një numër hala më i madh i grave të cilat përjeton dhunë e që nuk i drejtohen institucioneve fatkeqësisht. Këtë vit ne e dimë që prej hulumtimeve tona diku mbi 68 për qind e grave thonë se kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës gjatë jetës së tyre dhe nëse i shohim prapë brenda viteve i kemi përafërsisht mbi 2 000 raste të raportuara. Prapë mendojmë që kjo nuk e shpërfaq realitetin, na gëzon fakti që janë rritur raportimet sepse na bënë të kuptojmë që gratë tona janë më të vetëdijeshem dhe nuk e tolerojnë dhunën”.

“Mendoj që këtu ka pasur efekt edhe fushatat e organizatave të grave dhe ky kontakti i drejtpërdrejt me gratë që ato t’i vetëdijesohen për të drejtat që ju takojnë dhe që të mos e tolerojnë më dhunën. Edhe pse është rritur ky numër, numri në realitet është shumë më i madh se sa ky që raportohet tekë institucionet”. Berisha theksoi se të gjitha institucionet do të duhet që të qëndrojnë mbrapa kornizës ligjore, duke marr parasysh që Kosova ka një kornizë të mirë ligjore por që, sipas saj, ajo nuk respektohet. “Duhet ta kenë qasjen ashtu siç e kërkon korniza ligjore sepse edhe kjo ka qenë shpesh arsye pse grat edhe nëse ju kanë drejtuar institucioneve ato diku në mesë të rrugës janë tërhequr. Ne prej hulumtimeve tona shpesh e kemi parë që sa do që e kemi një kornizë të mirë ligjore sepse në atë kornizë ligjore kemi qenë të angazhuar edhe ne shoqëria civile përmes komentimeve tona, përmes rekomandimeve tona. Prapë kur vjen të pezmatueshmëri kemi një ngecje, kemi një mentaliteti, i cili mbizotëron tekë përfaqësuesit institucioneve që është një mendësi kogja patriarkale dhe në bazë të kësaj shpesh tentohet që të minimizohet dhuna, tentohet të fajësohet viktima, tentohet që në raportimin e parë të bëhet pajtimi i personave që janë ne konflikt që nuk është në mandatin dhe detyrën e policisë e as qendrave për punë sociale. Të gjitha institucionet duhet që të punojnë për të mirën e viktimës, ta mbrojnë atë dhe ta rehabilitojnë dhe t’i krijojnë mundësi për integrim në shoqëri”, tha ajo.

Ajo tha se tendenca për t’i pajtuar qiftet që janë në konflikt nga ana e policisë apo nga qendra për punë sociale, në rastet kur qiftet janë në një marrëdhënie të dhunshme, sipas saj, shpesh kanë quar në recidivizëm dhe shpesh edhe deri tek vrasja.

Ajo shtoi se në rastet kur jepen dënimet e ulëta ndaj dhunuesit, jepet mesazh që tolerohet dhuna, e sipas saj, dënimet e vogla nxisin edhe të tjerët që të ushtrojnë dhunë.

“Tendeca për t’i pajtuar qiftet kur janë në konflikte dhe kur janë në marrëdhënie të dhunshme shpesh e kemi parë prej fakteve që kanë quar në recidivizëm edhe në vepra edhe më të rënda të dhunës në familje, që kanë quar shpesh edhe deri tekë vrasja. Sepse ushtruesi i dhunës momentin kur e ka pa që institucionet nuk po e marrin parasysh raportimin e gruas atë janë ndje të fuqizuar edhe këtë zbrazëtirë ligjore e kanë shfrytëzuar për të kryer veprën të cilën e kanë pasur synim që ta kryejnë. Kemi disa raste që kanë përçudnuar me fatalitet pikërisht pse institucionet kanë dështuar ta mbrojnë viktimën, ti besojnë asaj dhe ushtruesin e dhunës ta vejnë parapa grilave”, tha ajo.

Përderisa Policia e Kosovës përmes e-mali kanë thënë se qasja e policisë që të parandaloj dhunën në familje dhe trajtimi i rasteve me seriozitet, ka bërë që raportimi i dhunës të rritet.

Sipas Policisë rastet e dhunës në familje trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe me organet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i saj i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është si parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat