Komuna e Klinës me sfida të shumta, Elezaj thotë se presin mbështetje nga institucionet

Kosova

Komuna e Klinës me sfida të shumta, Elezaj thotë se presin mbështetje nga institucionet

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 16:42
Vjosa Osmani dhe Zenun Elezaj

Komuna e Klinës ka nevojë për mbështetje të projekteve madhore që lidhen me furnizim me ujë të pijes, ndërtimin e rrugës transit që lidh këtë komunë me Skenderajn dhe Istogun si dhe për mbrojtje nga vërshimet. Kështu deklaroi i pari i kësaj komune, Zenun Elezaj, në një konferencë për media me rastin e vizitës së presidentes Vjosa Osmani.

Në konferencën e përbashkët për media, Osmani tha se Komuna e Klinës e meriton gjithë përkrahjen për të ecur përpara me projekte zhvillimore.

Osmani: Furnizimi me ujë të pijes nuk do të duhej të ishte problem për qytetarët tanë

“Nga kryetari dëgjuam për të arriturat e deritanishme por edhe për problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen, natyrisht edhe për projektet madhore të cilat do ta ndryshonin jetën e qytetarëve të Klinës, përfshirë ato që kanë të bëjnë me ujin e pijshëm, që është një problem me të cilin qytetarët tanë nuk do të duhej të ballafaqoheshin më. Duhet të sigurohemi që t’i përkrahim komunat tona në projekte përmes të cilave uji i pijshëm depërton deri tek secili qytetar, pavarësisht a jetojnë në qytet apo në fshatra... Shpresoj se do të fokusohen tek realizimi i këtyre të drejtave themelore të qytetarëve tanë”, u shpreh ajo.

Sipas Osmanit, në hije nuk ka mbetur as Ujëvara e Mirushës, për të cilën tha se është një nga atraksionet më të bukura turistike të Kosovës.

Ajo tha se me Elezajn kanë biseduar edhe për projekte infrastrukturore, në veçanti rrugën transit, si dhe për pasojat pas vërshimeve, për çka tha se duhet të punohet edhe më tej në mënyrë që të ketë mbrojtje nga këto të fundit.

Osmani: Të punohet për të mbrojtur Komunën e Klinës nga vërshimet

“Siç e dini ministri i Bujqësisë e ka vizituar komunën menjëherë pas vizitës sime, dhe këto diskutime kanë rezultuar me një projekt të rëndësishëm të ujitjes, që është një projekt prej qindra – mijëra eurosh. Por, në anën tjetër duhet të punohet që të kemi mbrojtje nga vërshimet, duke e ditur që Klina është një komunë ku kalojnë një numër i madh i lumenjve”, u shpreh Osmani derisa foli edhe për rëndësinë e mbrojtjes së lumenjve nga ndotja.

Ndërsa, disa nga sfidat me të cilat ballafaqohet komuna që e udhëheq, i përmendi i pari i Klinës, Zenun Elezaj. Ai tha se shpreson që përmes linjës së presidencës të përfitojnë ndonjë donacion në mënyrë që të zhvillojnë projekte që do të ndikonin pozitivisht në jetën e qytetarëve.

Elezaj: I kemi sfidat tona, shpresojmë të marrim ndonjë donacion përmes presidencës

“Ne i kemi sfidat tona, në kuptimin e mbështetjes së projekteve madhore, siç është furnizimi me ujë të pijes, ndërtimi i transitit që lidh Komunën e Klinës me komunat e Skenderajt dhe të Istogut. Besoj që për të gjithë qytetarët e Klinës është një sfidë e madhe edhe koha e verës kur ne gëzohemi shumë, krijimit të tollovive me ardhjen e bashkatdhetarëve tonë, e në të njëjtën kohë ka edhe përfitime të bizneseve të ndryshme. Në të njëjtën kohë edhe në projekte tjera siç është furnizimi me ujë të pijes, rregullimi i shtretërve të lumenjve, që i prezantuam para presidencës dhe shpresojmë që përmes linjës së presidencës të përfitojmë ndonjë donacion”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat