Ibrahimi: Ministria e Arsimit po merr vendime pa u konsultuar me komunat

Kosova

Ibrahimi: Ministria e Arsimit po merr vendime pa u konsultuar me komunat

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 17:29
Sazan Ibrahimi

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi e ka vlerësuar arbitrar propozimin e Ministrisë së Arsimit që prindërit t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre e më pas ministria t’ua rimbursojë paratë atyre përmes aplikimit në platformën online “e-Kosova”.

“Ne si AKK do ta kemi takimin e kolegjiumit të arsimit (ku DKA-të janë anëtarë) ku edhe do të diskutohen këto probleme. E ftuar është edhe ministrja Nagavci. Pra, po themi që këto vendime po merren pa u konsultuar fare me komunat. DKA-të nuk janë të informuara fare për këtë çështje dhe kjo tregon se tekstet shkollore mund të vonohen akoma më shumë dhe kjo të ketë pasoja në një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor”, ka thënë Ibrahimi në një deklaratë për RTK-në.

Ai tutje ka theksuar se nuk kanë informata lidhur me rregullimin ligjor të kësaj çështje dhe ka ngritur disa dilema.

“Ne jemi në dijeni se MASHTI e ka obligim ligjor që t’i siguroj tekstet shkollore për nxënësit që vijojnë mësimin e obliguar. Kush garanton se mjetet do të shpërndahen saktë në llogaritë e prindërve kur dihet se shumë prindër mund të mos kenë llogari bankare? Si do të përzgjedhen tekstet e shkollave nga ana e prindërve? Çka nëse një libër ka qenë i kontraktuar të shtypet për 5 euro e që po të njëjtin libër prindërit duhet ta paguajnë në librari 7 euro? Çfarë mase ka paraparë MASHTI që të jetë i sigurt se nxënësit do t’i blejnë të gjitha tekstet shkollore të parapara? Ka komuna që nuk kanë librari fare”, ka shtuar ai.

Sipas Ibrahimit këto janë problemet që MASHTI është dashur t’i diskutojë me komunat përpara se të sjellë një vendim të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat