Emini: Anëtarësimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në atë Evropian, hap gjigant për atletët nga Kosova

Kosova

Emini: Anëtarësimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në atë Evropian, hap gjigant për atletët nga Kosova

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 13:07
Emini

Komiteti Paralimpik i Kosovës tashmë është bërë pjesë e Komitetit Paralimpik Evropian me të drejta të plota.

Anëtarësimi u arrit më 9 gusht të këtij viti dhe ky po konsiderohet të jetë një hap gjigant për sportistët me aftësi të kufizuara që tani e tutje do ta kenë mundësinë që të garojnë në kampionate botërore dhe evropiane.

Pranimi i Kosovës në Komitetit Paralimpik Evropian u bë më datën 9 Gusht 2023 në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar me përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare, përveç Serbisë që votoi kundër.

Me këtë rast, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, tha në konferencë për media se ky hap gjigant është një arritje e jashtëzakonshme që hap dyert e sportistëve të kësaj kategorie drejtë sukseseve ndërkombëtare, gjë e cila deri më tani ishte e pamundur të bëhej, me Lojërat Olimpike “Parisi 2024ë” si synimin e parë./kp

“Komiteti Paralimpik i Kosovës, i themeluar fillimisht si një organizatë e vogël, modeste, por e madhe me zemrën e paraatletëve tanë, tani është shëndrruar në një anëtar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Një rrugëtim i shoqëruar me përkushtim, punë të palodhshme, vullnet ta patundur dhe besim në vlerat që përfaqësojmë, kemi bindur shtetet anëtare të Komitetit Paralimpik Evropian që të votojnë pro anëtarësimit tonë në këtë rrjet të rëndësishëm ndërkombëtar të përfaqësimit të atletëve me aftësi të kufizuara.”, tha Emini.

Ndërsa zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, tha se kjo është një arritje historike për Komitetin Paralimpik të Kosovës pasi përveç anës sportive, kjo mundëson edhe përfitime të ndryshme financiare nga organizatat ndërkombëtare që mbështesin këtë kategori.

“Padyshim që ky është një moment tejet i rëndësishëm për zhvillimin e më tutjeshëm të sportit, përveç pjesëmarrjes që është shumë e rëndësishme në këtë rast, kjo do të hap edhe shumë rrugë të tjera të rritjes së bashkëpunimit të Komitetit Paralimpik të Kosovës me strukturat ndërkombëtare, të qasjes në kanalet e ndryshme të fondeve e financimit përmes strukturave ndërkombëtare.

Ajo shtoi se mbështetja e kësaj ministrie për Komitetin Paralimpik do të rritet në vazhdimësi, sidomos për të pasur përfaqësim sa më dinjitoz në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

“Me këtë rast, buxheti, mbështetja financiare nga ministria jonë për Komitetin Paralimpik rrjedhimisht është rritur për 100 përqind nga disa vlera minimale të një organizate të vogël, siç e tha edhe presidentja është shëndrruar në një strukturë me një buxhet ndër më të madhin në organizatat sportive që e kemi, por padyshim që kjo nuk përfundon këtu. “Parisi 2024” është prioritet i ministrisë së sportit për vitin e ardhshëm dhe padyshim që mbështetja do të jetë prezentë.”, tha Osmani.

Ndryshe, në Lojërat Olimpike që mbahen vitin e ardhshëm në Paris, Kosova do të përfaqësohet nga dy sportistë paralimpik, Grevist Bytyqi dhe Vjoillca Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat