​Drekë për të varfëritë në kujtim të jetës dhe veprës së Nënës Terezë

Kosova

​Drekë për të varfëritë në kujtim të jetës dhe veprës së Nënës Terezë

Më: 2 shtator 2023 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

“Të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla por me dashuri të madhe”. Me këtë thënie të Nënës Terezë dhe në kuadër të ditëve në nderim të jetës dhe veprës së saj, të rinjtë vullnetarë të Famullisë së Prishtinës, kanë organizuar sot një drekë për të varfëritë.

Dreka u shtrua pranë kishës “Shën Ndou”, në lagjen Ulpiana, në Prishtinë, ku u tha se këtë mense e ka themeluar ipeshkëvi para se të ndërtohet kisha dhe funksionon tash e 16 vite, duke ushqyer njerëzit që kanë nevojë.

Famulltari Don Agim Qerkini tha se falënderimi Zotit dhe shpirtit të Nënës Terezë që frymëzon shumë të rinj, ndër ta edhe në famullinë e tyre.

Qerkini: Drekë kushtuar Nënës Terezë

“Me shpirtin vullnetarë të tyre mundohen t’i qëndrojnë afër njerëzve, pa marrë parasysh se në cilat rrethana janë e sidomos kur kanë nevojë, kështu që edhe kjo drekë shtrohet sot në këto ditë kushtuar Nënës Terezë. Siç e dini më 26 gusht kur kemi festuar ditën e lindjes së Nenës Terezë, kemi filluar dosa aktivitete që tashmë janë bërë traditë në famullinë tonë dhe jo vetëm, edhe në mbarë trojet shqiptare, edhe më gjer në diasporë. Organizohen aktivitete të ndryshme, qofshin ato shpirtërore, kulturore por ajo që gjithmonë e kanë për zemër janë gjithmonë veprat e bamirësisë...janë ata vullnet mirë që kanë dashur të bashkë ndajnë edhe kohën me ta, të rrinë dhe të hanë drekën me ta në mënyrë që edhe kjo ta dëshmojë një kujdes ndaj tyre jo vetëm si diçka formale por mbi të gjitha duke u frymëzuar nga jeta dhe vepra e Nënës Terezë që punët të benën me dashuri, me përkujdesje që vlerëson dhe nderon dinjitetin njerëzor”, tha ai, duke shtuar se fryma e bamirësisë duhet të na shoqërojë jo vetëm gjatë kësaj dite por në të gjitha ditët.

Miss World Albania, Elona Ndreca tha se po ndihet mirë që po kanë mundësi të kontribuojnë sadopak.

Ndreca: Nesër do të jetë edhe një ekspozitë te katedralja

“Është dreka për të varfrit dhe siç po shihet ka shumë vullnetarë dhe mbështetës që kanë ardhur me kontribuar sado pak në këtë drekë dhe sot është enkas për ditën e Nënës Terezë dhe këto ditë është përvjetori i Nënës Terezë, nga data 26 gusht deri më datën 5 shtator, ku është bërë edhe shenjtërimi i Nënës Terezë. Gjithashtu, nesër do të jetë edhe një ekspozitë te katedralja, ku i ftoj të gjithë. Është ekspozitë enkas për nder të Nënës Terezë, ku do të paraqiten pikturat dhe skulptura nga artistë të ndryshëm, ka më shumë se 20 artistë që po marrin pjesë dhe me kontribuar sado pak në këtë gjë. Një pjesë e shitjes së pikturave do të shkojë për një organizatë joqeveritare për ndihmën e grave të magjinalizuara. Nga ora 13:00 deri në orën 17:00, është e hapur për të gjithë, për publikun”, tha ajo.

Aty u tha se ky është një shembull i vogël që janë të gatshëm të organizojnë edhe në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat