​FAO shpërndan kuponë me nga 300 euro për fermerët e Rahovecit

Kosova

​FAO shpërndan kuponë me nga 300 euro për fermerët e Rahovecit

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 15:24
Foto ilustrim nga vendngjarja

Organizata për Ushqim dhe Bujqësi (Food and Agriculture Organization – FAO), financuar nga Qeveria e Zvicrës, ka ndihmuar fermerët e Komunës së Rahovecit të cilët janë prekur nga vërshimet e muajit janar të këtij viti.

FAO ka shpërndarë për 91 fermerë nga një kupon me nga 300 euro, të cilët do të mund t’i shfrytëzojnë për kompensimin e dëmeve nga janari i këtij viti.

Fermerët këta kuponë do të mund t’i shfrytëzojnë nga sot kur i janë dhuruar deri me datën 5 nëntor.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se këto ndihmesa janë të nevojshme për fermerët rahovecianë.

Latifi: Kuponët e dhuruar ndihmesë e vogël por e nevojshme për fermerët

“Ne sot flasim për një ndihmesë pak simbolike por që është e nevojshme , është e rëndësishme për fermerët e dëmtuar në janarin e këtij vitit nga vërshimet në komunën tonë, nga përmbytjet të cilat kanë ndodhë në komunën tonë... Kuptohet komuna jonë nuk ka pasur mundësi sepse dihet që komunat nuk kanë fonde emergjente dhe nuk kanë mundësi ti mbulojnë dëmet të cilat shkaktohen në bujqësi apo në ekonomi familjare apo në biznese apo në amvisëri për shkak të kemi kufizime ligjore në këtë drejtim , gjithsesi ne u jemi mirënjohës shumë ministrisë bujqësisë dhe organizatës (FAO) , pra organizatë e kombeve të bashkuara për bujqësi dhe ushqim” tha Latifi.

Latifi ka falënderuar organizatën (FAO) dhe Qeverinë Zvicerane për kuponët e shpërndarë, derisa tha se fermerët me këta kuponë do të kompensojnë produktet bujqësore të cilat janë të nevojshme për ta.

Latifi:Do të vazhdojmë bashkëpunimin me organizatën (FAO) dhe Qeverinë Zvicerane

“Organizata (FAO) ka shprehur gatishmërinë që përmes donatorëve si qeveria zvicerane dhe fondi emergjent (i FAO-s) t’i ndihmojë me kuponë fermerët e prekur nga këto përmbytje. Me anë të këtyre, do t’iu mundësohet fermerëve të bëjnë inpute të domosdoshme për fermat e tyre, si farë, pleh, vegla pune, aparate ujitjeje, pjesë rezerva dhe mallra tjera të domosdoshme sipas nevojave të tyre... Dua të falënderoj qeverinë zvicerane, organizatën (FAO) për përkrahje e fermerëve të dëmtuar nga këto vërshime, gjithsesi ne si komunë jo vetëm që jemi të interesuar por shprehim gatishmërinë e plotë që të vazhdojmë bashkëpunimin me qeverinë zvicerane, me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësinë (FAO) dhe si dhe të thellojmë bashkëpunimin” shtoi Latifi.

Ndërsa, zëvendësdrejtori për bashkëpunim nga Zyra e Zvicrës, Laurent Torche tha se përmes kësaj ndihme për bujqit në komunën e Rahovecit dëshiron të sigurojë mirëqenie dhe kapacitet të produkteve bujqësore.

Ai shtoi se dy vendet kanë bashkëpunim të shkqlqyeshëm dhe se Zvicra do të ofrojë mbështetje për fermerët e Kosovës edhe në vitet e ardhshme.

Torche :Qeveria zvicerane do të mbështesë fermerët e Kosovës

“Ne kemi kërkuar nga institucionet e Kombeve të Bashkuara dhe kemi qenë në fleksibilitet për të ndihmuar njerëzit, pas këtyre vërshimeve, ne po dëshirojmë të sigurojmë mirëqenien dhe kapacitetin e produkteve të cilat janë të prekura nga vërshimet... Ne bashkë kemi një raport tani të shkëlqyer me Qeverinë e Kosovës, do të vazhdojmë vitet e ardhshme duke mbështetur sistemin e projekteve në Kosovë, nëpërmjet projekteve të fundit, Zvicra është e përkushtuar që të mbështesë, ofrojë këtë mbështetje në vitet në vijim”, tha Torche.

Po ashtu, udhëheqësi vendor i organizatës (FAO), Naser Krasniqi tha se bujqit përmes kuponëve me shumën prej 300 euro do të mund të vazhdojnë aktivitetin bujqësor, ani pse theksoi se është një shumë e vogël për fermerët e Rahovecit.

Krasniqi: Kuponët me vlerë 300 euro do të rinisin aktivitetin bujqësor

“Jemi këtu për të i’u dhuruar disa kupona të cilët do të shënojnë vlerën prej 300 euro në tërësi dhe më këta kuponë ju do të keni mundësi që do të bleni produkte bujqësore dhe do të filloni me aktivitetet bujqësore dhe prodhimtari bujqësore ashtu siç keni pasur para vërshimeve. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo vlerë është shumë e vogël për nevojat e juaja por të paktën mendojmë se është një mbështetje për rimëkëmbje dhe rifillim të aktiviteteve bujqësore. Përkrahja përmes fondeve që i ka siguruar (FAO) do të ofrohet në tërësi për 9 komuna, për 919 familje bujqësore dhe këta fermerë ose këto familje do të kenë mundësi të blejnë inpute bujqësore prej periudhës kur do të shpërndahen deri më 5 nëntor të këtij viti”, tha Krasniqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat